Abi Çarshia - Rrënimi i objektit - Korrik 2019
Dalin në gjyq inspektorët për rrënimin e aneksit të ndërtuar pa leje të kompleksit ‘Abi Çarshia’
Kryeinspektori i Prizrenit, Islam Thaqi dhe pesë zyrtarë të tjerë të Komunës, kanë dalë sot para Gjykatës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë, që ndërlidhen me rrënimin e aneksit të objektit të kompleksit “Abi Çarshia”. Aneksi pretendohet se u ndërtua pa leje.
“I pafajshëm”, u deklarua kryeinspektori Islam Thaqi.
Njëjtë, të pafajshëm, u deklaruar edhe 5 të akuzuarit tjerë: Jetmire Vrenezi, Egzona Morina Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit dhe Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit.
Në aktakuzën e saj, Prokuroria të akuzuarit Arian Taraku dhe Isë Bislimaj i ka cilësuar si zyrtarë – teknikë pranë Drejtorisë së Inspektorateve, mirëpo që të dy para Gjykatës thanë se janë të papunë.
Edhe i akuzuari Shqipëron Krasniqi, për të cilin në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se është përfaqësues ligjor i Komunës, në Gjykatë tha se është i papunë.
Gjatë kohës kur po zhvillohej seanca gjyqësore, gjyqtarja Kymete Kicaj ka urdhëruar ndalimin e fotografive dhe të video-incizimeve.
Ky urdhër erdhi pasi familjarë të të dëmtuarit Irfan Fusha ishin duke përdorur telefonat në sallën e gjykimit.
“Ndalohet rreptësishtë fotografimi dhe video incizimi i paautorizuar. Kjo përbën edhe vepër penale, andaj është vërejtja e fundit për ju”, tha gjyqtarja e rastit.
Personi të cilit gjyqtarja i tërhoqi vërejtjen vazhdoi të qëndronte në sallë të gjykimit.
Prokuroria në aktakuzën e saj thotë se dëmi që i është shkaktuar Irfan Fushës arrin shumën prej 69,729.66 euro.
Mirëpo, përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokati Taulant Hodaj, po pretendon se dëmi që i është shkaktuar kësaj kompanie tejkalon shumën që është e cekur në aktakuzë.
“Dëmi i shkaktuar është me qindra mijëra euro”, tha avokati Hodaj.
Sipas tij, këto pretendime do të vërtetohen gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe pas analizimit dhe vlerësimit edhe të ekspertizave që do të paraqiten në Gjykatë.
Deri në seancën e radhës të datës 24 shkurt, mbrojtësit e të akuzuarve kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre për provat e aktakuzës së Prokurorisë, dhe mund të paraqesin prova të cilat i konsiderojnë se janë në dobi të të akuzuarve.
KALLXO.com në korrik të vitit 2019 pati publikuar hulumtimin për zhvillimet rreth qendrës tregtare “Abi Çarshia”, duke filluar nga privatizimi i tokës në vitin 2011, deri te marrja e lejes për ndërtim në vitin 2017, dhe rrënimi i aneks-objektit pa leje me 19 korrik 2019.
https://kallxo.com/gjate/hulumtim/komuna-e-pafuqishme-karshi-objektit-pa-leje-te-abi-carshia-video/
Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari Irfan Fusha ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, prandaj “të akuzuarit veprojnë në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ dhe Ligjin mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative”.
“Andaj të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç‘rast gjatë rrënimit ABI SH.P.K në Prizren i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Prokuroria në aktakuzë si të dëmtuar në këtë proces e ka cilësuar pronarin e “Abi Çarshia”, Irfan Fushën, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.
Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik 2019 ka rrënuar aneksin e objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia “.
Gjashtë ditë më vonë, Prokuroria e Prizrenit kishte filluar hetimin ndaj zyrtarëve të Komunës, ndërsa po të njëjtën ditë Gjykata në Prizren kishte vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje, duke i oblgiuar palët të mos ndërmarrin asnjë veprim tjetër.