Kryeinspektori dhe zyrtarët tjerë të akuzuar për rrënimet në ‘Abi çarshia’ dalin para gjyqit

Kryeinspektori i Prizrenit bashkë me 5 zyrtarë të tjerë, kundërshtuan akuzën e Prokurorisë së Prizrenit.

Kryeinspektori i Prizrenit, Islam Thaqi dhe pesë zyrtarë të tjerë të Komunës, kanë dalë sot para Gjykatës për t’i kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, që ndërlidhen me rrënimin e aneksit të ndërtuar pa leje të objektit të kompleksit “Abi Çarshia”.

Përveç Thaqit, pesë të akuzuarit tjerë janë: Jetmire Vrenezi, Egzona Morina- Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit dhe Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit.

Avokati Valdet Hoxha, mbrojtësi i të akuzuarës Egzona Morina- Thaqi, kërkoi që aktakuza e Prokurorisë të hudhet si e paligjshme dhe se provat e akuzës nuk e vërtetojnë gjendjen faktike të saj.

Avokati Bestar Kolgeci, mbrojtës i të akuzuarit Shqipron Krasniqi, tha se në aktakuzë janë paraqitur veprimet e të gjithëve në tërësi e jo të secilit veç e veç. Ai shtoi se provat e akuzës nuk kanë të bëjnë me të mbrojturin e tij, sepse i njëjti nuk e ka pasur lëndën në dorë.

Edhe avokati i të akuzuarit Islam Thaqi, Blerim Mazreku duke kërkuar nga gjykata që aktakuza e Prokurorisë të hudhet poshtë dhe ta pushojë procedurën ndaj të mbrojturit të tij, ai tha se Prokuroria ka qenë dashtë që t`i përcaktojë veprimet e të akuzuarve edhe pse akuza është në bashkëkryerje.

I akuzuari Arian Taraku, kërkoi nga gjykata që të hudhet akuza ndaj tij, me arsyetimin se kishte vepruar në bazë të kërkesave të Drejtorisë së Inspektorateve dhe se veprimet e tij kishin qenë në asistim të plotësimit të dokumentacionit.

Edhe i akuzuari Isë Bislimaj, tha se akuza ndaj tij të hudhet poshtë si e pabazuar në prova, me arsyetimin se i njëjti ka për detyrë të veprojë sipas urdhrave të drejtorit të tij.

Avokati Ardian Morina, mbrojtësi i të akuzuarës Jetmire Vrenezi, qëndroi pranë kundërshtimeve të paraqitura me shkrim.

Në anën tjetër, prokurori Mehdi Sefa, deklaroi se të gjithë të akuzuarit kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës, në bashkëkryerje.

Ai se gjatë shqyrtimit gjyqësor kjo akuzë dhe provat e saj do të vërtetohen. Ai tha se është bërë padi kundër konfliktit administrativ.

Ndërsa, përfaqësuesi i të dëmtuarit Irfan Fusha, avokati Taulant Hodaj, tha se kundërshtimet e aktakuzës nga ana e avokatëve nuk duhet të merren parasysh.

Mirëpo, gjykatësja Kymete Kicaj, tha se lidhur me kundërshtimet e palëve do të vendos me vendim të veçantë.

Të gjithë të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm.

Në aktakuzën e saj, Prokuroria të akuzuarit Arian Taraku dhe Isë Bislimaj i ka cilësuar si zyrtarë – teknikë në Drejtorinë e Inspektorateve, mirëpo që të dy para Gjykatës thanë se janë të papunë.

Edhe i akuzuari Shqipëron Krasniqi, për të cilin në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se është përfaqësues ligjor i Komunës, në Gjykatë kishte thënë se është i papunë.

Gjatë kohës kur po zhvillohej seanca gjyqësore, gjyqtarja Kymete Kicaj kishte urdhëruar ndalimin e fotografive dhe të video-incizimeve.

Ky urdhër erdhi pasi familjarë të të dëmtuarit Irfan Fusha ishin duke përdorur telefonat në sallën e gjykimit.

Prokuroria në aktakuzën e saj thotë se dëmi që i është shkaktuar Irfan Fushës arrin shumën prej 69,729.66 euro.

Mirëpo, përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokati Taulant Hodaj, po pretendon se dëmi që i është shkaktuar kësaj kompanie tejkalon shumën që është e cekur në aktakuzë.

Sipas tij, këto pretendime do të vërtetohen gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe pas analizimit dhe vlerësimit edhe të ekspertizave që do të paraqiten në Gjykatë.

KALLXO.com në korrik të vitit 2019 pati publikuar hulumtimin për zhvillimet rreth qendrës tregtare “Abi Çarshia”, duke filluar nga privatizimi i tokës në vitin 2011, deri te marrja e lejes për ndërtim në vitin 2017, dhe rrënimi i aneks-objektit pa leje me 19 korrik 2019.

Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari Irfan Fusha ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, prandaj “të akuzuarit veprojnë në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ dhe Ligjin mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative”.

“Andaj të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet  e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç‘rast gjatë rrënimit ABI SH.P.K në Prizren i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokuroria në aktakuzë si të dëmtuar në këtë proces e ka cilësuar pronarin e “Abi Çarshia”, Irfan Fushën, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik 2019 ka rrënuar aneksin e objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia“.

Gjashtë ditë më vonë, Prokuroria e Prizrenit kishte filluar hetimin ndaj zyrtarëve të Komunës, ndërsa po të njëjtën ditë Gjykata në Prizren kishte vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje, duke i obliguar palët të mos ndërmarrin asnjë veprim tjetër.