Gjykimi Selatin Beqirit për keqpërdorim detyre FOTO-Fitim Limani/KALLXO.com

Gjilan, dështon sërish seanca ndaj shefit të urbanizmit në Novobërdë

Në Gjykatën e Gjilanit ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohet shefi i urbanizmit në Novobërdë, Selatin Beqiri.

Bashkë me Beqirin, në këtë rast po akuzohet edhe Osman Ramadani për heqjen apo dëmtimin e vulave ose shenjave zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit Osman Ramadani, i cili sipas gjykatësit Agim Ademi, nuk ka ardhur në seancë dhe nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

Gjithashtu, në këtë rast edhe seanca e datës 12 shkurt kishte dështuar të mbahet pasi atëherë antari i trupit gjykues Naser Maliqi, kishte pasur probleme shëndetësore.

Kujtojmë se kjo lëndë ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësi Zyhdi Haziri por pas kalimit të tij në Gjykatën e Apelit kjo lëndë i është caktuar gjykatësit Naser Maliqi.

Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri, me datë 02.11.2018 i ka lëshuar leje Osman Ramadanit, për mbindërtimin e një objekti në fshatin Pasjak, Komuna e Novobërdës para se Drejtori i Inspeksionit të merr aktvendimin për ndalimin e këtij mbindërtimi.

Ky i fundit kishte dalë në vend të ngjarjes me datën 01.11.2018 në të cilën datë e ka rrethuar objektin me shirit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Osman Ramadani, pasi kishte pranuar aktvendimin për ndërprerjen e punimeve për mbindërtim, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet në mënyrë të kundërligjshme.

Dështon të mbahet seanca ndaj shefit të urbanizmit në Novobërdë