FOTO nga arkivi

Dështon të mbahet seanca ndaj shefit të urbanizmit në Novobërdë

Në Gjykatën e Gjilanit ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohet shefi i urbanizmit në Novobërdë Selatin Beqiri.

Bashkë me Beqirin, në këtë rast po akuzohet edhe Osman Ramadani për shkak të veprës penale heqja apo dëmtimi i vulave ose shenjave zyrtare.

Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e  kryetarit të trupit gjykues, Naser Maliqi për shkaqe shëndetësore.

Kujtojmë se kjo lëndë ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësi Zyhdi Haziri por pas kalimit të tij në Gjykatën e Apelit kjo lëndë i është caktuar gjykatësit Naser Maliqi.

Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri, me datë 02.11.2018 i ka lëshuar leje Osman Ramadanit, për mbindërtimin e një objekti në fshatin Pasjak, Komuna e Novobërdës para se Drejtori i Inspeksionit të merr aktvendimin për ndalimin e këtij mbindërtimi.

Ky i fundit kishte dalë në vend të ngjarjes me datën 01.11.2018 në të cilën datë e ka rrethuar objektin me shirit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Osman Ramadani, pasi kishte pranuar aktvendimin për ndërprerjen e punimeve për  mbindërtimin, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet në mënyrë të kundërligjshme.

Gjyqtari kalon në Gjykatën e Apelit, nuk mbahet seanca ndaj zyrtarit të Novobërdës