Gjilan: Banorët e një ndërtese shqetësohen nga puna e një ordinance private

Sejdi Abazi qytetarë nga Komuna e Gjilanit ka thënë se është i shqetësuar për shkak se në afërsi të banesës së tij është një ordinancë private e cila është duke punuar vazhdimisht po bëhen grumbuj të njerëzve duke pritur në rend.

Sejdiu për KALLXO.com ka thënë se në ordinancën ‘Shëndeti’ në të cilën doktor është drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu vazhdimisht vinë pacient dhe hapësira e pritjes nuk dezinfektohet, ai ka thënë se edhe banorët e tjerë ndajnë të njëjtin shqëtësim me të.

“Jemi 30 familje që jetojmë në këtë bllok, banesa është në katin e dytë, distanca në mes të derës e ordinancës edhe dera ime personale është 20 centimetra, ai për çdo ditë punon aty. Ne kemi bërë peticion në Komunë, po ndihemi të rrezikuar për shkak që COVID-19 dhe këtu për çdo ditë vinë pacientë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë që as pacientët që presin nuk përdorin mjete mbrojtëse ndaj COVID-19.

“Doktori asnjëherë nuk e ka dezinfektuar hapësirën ku presin pacientët, unë vet personalisht e kam marrë dhe e kam dezinfektuar atë hapësirë edhe e dinë të gjithë banorët për këtë. Njerëzve që kanë qenë duke pritur i kam dhënë maska dhe dorëza”, ka thënë tuje ai.

Sipas tij doktori Hajrullahu ka 10 vite që punon aty dhe  asnjëherë nuk kanë pasur problem me të mirëpo tash për shkak të epidemisë COVID-19 po ndihen të rrezikuar.

Madje për këtë banorët kanë bërë edhe një peticion duke kërkuar që të mbyllet përkohësisht.

 

Në lidhje me pretendimet e banorit, KALLXO.com ka kontaktuar doktorin, Nisret Hajrullahu i cili ka thënë se të gjithë këto janë shpifje.

Sipas tij, pas anesave të banorëve inspektorati komunal ia ka ndaluar për 3 ditë të punoj, por pastaj i është lejuar ushtrimi i veprimtarisë

“Kam pasur një ndalesë 3 ditshe dhe më është lejuar prap që të ushtroj veprimtarinë time dhe nuk ka asnjë kontest, posedoj të gjithë dokumentacionin për veprimtarinë që e ushtroj”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka thënë në ordinancën ‘Shëndeti’ e cila është ordinancë e sëmundjes së mushkërive vazhdimisht dezinfektohen hapësirat dhe se shqetësimet e banorëve për përhapje të virusit nuk kanë vend, ndërsa banorët nuk mund t’ia ndalojnë ushtrimin e veprimtarisë.

“Ne i dezinfektojmë të gjitha hapësirat . Shqetësimet e nuk kanë vend, ato janë shpifje. Banorët nuk mund të ma ndalin punën, janë organet kompetente të cilat pas shikimit të rastit kanë konstatuar se gjithçka është në rregull”, ka theksuar ai.

Në dijeni për rastin janë edhe organet komunale, Arbër Ismajli nënkryetar i Komunës së Gjilanit ka thënë se doktori Hajrullahu punon për shkak që ka pacient që e kanë të domosdoshme ti kryejnë kontrollet, por shtoi se nuk ka pritje të pacientëve pasi që punohet vetëm me terminë.

“Ka pas një shqetësim të banorëve aty për grumbull të njerëzve që po mblidhen te ordinanca. Nuk ka më shumë se 4 ose 5 pacient dhe kontrollet e tyre bëhen me termine”, ka thënë ai.

Ismajli ka konfirmuar se ordinanca është mbyllur për disa ditë, por pastaj është liruar të punoj.

“Ne e kemi mbyllë për 1 javë ordinancën, deri sa është bërë verifikimi se çka është bërë aty, pastaj ka vazhduar të punoj prap për shkak që arsyetimi i mjekut ka qenë se e ka një numër të pacientëve që është i detyruar me i kontrollu për shkak të problemeve që i kanë ata”, ka thënë ai.