Gjilan, 300 euro gjobë për anëtarin e Vetëvendosjes që ndikoi te votuesi

Qamil Rexhepi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, është dënuar me gjobë prej 300 euro për ndikim të votuesi.

Në seancën fillestare, Rexhepi e pranoi fajësinë.

I akuzuari deklaroi se i vjen keq për veprimet qe i ka bërë duke deklaruar se nuk e ka ditur se ai veprim është i ndaluar.

“Kërkoj nga gjykata qe të më shqiptoj një dënim më të butë, fajësinë e pranoj në mënyrë vullnetare pa asnjë presion”, tha i akuzuari.

Prokurori i shtetit nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë.

Avokati mbrojtës Xhavit Haziri gjithashtu tha se i mbrojturi i tij nuk pati presion për pranimin e fajësisë.

“Pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare pa ndikimin apo kërcënimin e askujt. Ai është penduar dhe nuk pa pasur njohuri të bollshme se një veprim i tillë është i dënuar si vepër penale”, tha avokati.

Avokati mbrojtës gjithashtu tha se klienti tij nuk ka bërë asnjë presion tek Lulzim Halabaku por atë listë ia ka dhënë në mënyrë krejt shoqërore.

“Pasi që i akuzuari nuk ka bërë presion tek  Halabaku i propozoj Gjykatës qe të shqiptoj një dënim sa ma të butë, konkretisht  një dënim me gjobë e jo dënim me burg. Gjithashtu i propozoj gjykatës qe masa e shqiptuar për të ju afruar vendit apo personit të caktuar të ndërpritet pasi që kanë pushuar të gjitha arsyet për shqiptimin e saj”. Tha tutje Avokati Haziri.

I akuzuari e mbështeti në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij duke mos thënë diçka tjetër.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Qamil Rexhepi me datën 06 tetor (zgjedhjet parlamentare) rreth orës 9, në fshatin Pozhoran të Komunës së Vitisë, duke qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtar i këshillit iniciues të kësaj partie, në pikën e votimit në Pozhoran, në mënyrë të kundërligjshme ka ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesit.

Sipas aktakuzës, Rexhepi e kishte ndalur bashkëfshatarin e tij, Lulzim Alidema i cili ishte duke hyrë në qendrën e votimit për të votuar dhe ja kishte dhënë dy letra dhe atë njëra me numrat e kandidatëve të Vetëvendosjes të cilët duhej sipas tij t’i votonte dhe tjetra foto- album me të gjithë kandidatët për deputetë nga kjo parti.

Kujtojmë se me datën 8 tetor e njëjta Gjykatë pati refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e arrestit shtëpiak duke e zëvendësuar atë me ndalesë që t’i afrohet vendit apo personit të caktuar.

Kryetari i trupit gjykues pikërisht në seancën e shqyrtimit fillestar pas pranimit të fajësisë e shpalli dënimin.

Edhepse dënueshmëria për këtë vepër penale është deri në një vit burg, pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, Gjykata shqiptoi dënim me gjobë 300 euro.

“Gjykata pas shqyrtimit të gjitha provave, pranimit të fajësisë dhe  sjelljes korrekte në Gjykatë të të akuzuarit konsideron se dënimi me gjobë në shumën prej 300 euro do ta arrijë qëllimin e dënimit dhe të akuzuarit do t’i shërbejë si vërejtje për të ardhmen”, përfundoi gjykatësi.