Ilustrim, Foto nga KALLXO.com

Gjetjet e Auditorit për Ministrinë e Bujqësisë: 88 punonjës me kontrata mbi vepër

Raporti i Auditorit për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural  evidenton se ky dikaster qeveritar  ka angazhuar gjithsej 88 zyrtarë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta prej tyre 48 në ministri, 31 në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor (AZHB) dhe 9 tjerë  në APK.

Auditori tregon se Ministria nuk kishte zbatuar ndonjë procedurë rekrutimi

“Lidhur me këto, ne kemi identifikuar dobësitë në vijim: Nga rastet e mësipërme, 25 prej tyre (17 në Ministri, dhe 8 AZHB), Ministria nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të rekrutimit sipas kërkesave ligjore; dhe Ndërsa, 51 zyrtarë të angazhuar me MSHV (26 në Ministri dhe 25 në AZHB nga 31 rastet e cekura me lart) kishin vazhduar nga vitet paraprake, ku periudha e angazhimit të këtyre zyrtarëve është më e gjatë se sa afati i përcaktuar me rregulla ligjore, mbi gjashtë muaj. “, thuhet në të gjeturën e raportit.

Sipas zyrtarëve të MBPZHR, tregon Auditori, kjo kishte ndodhur për shkak të nevojës për staf dhe mos aprovimit të buxhetit për staf shtesë

Dobësitë e identifikuara, sipas Auditorit mund të rezultojnë me mungesë të mirëfilltë të konkurrencës dhe cilësi të dobët të shërbimeve të ofruara.

Tutje thuhet se në mungesë të kontrolleve, Ministria rrezikon rritje të shpenzimeve të pa planifikuara që mund të ndikojnë në ngecjen e realizimit të objektivave tjera të përcaktuara.

Ministrit iu rekomandua të ndërmerr masa që të ndërprej këtë praktikë të lidhjes së kontratave pa procedura rekrutimi.

“Ministri duhet të sigurojnë se janë marrë masa për të ndërprerë praktikën e lidhjes së kontratave pa procedura të rekrutimit, dhe kohëzgjatja e këtyre marrëveshjeve të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës. Në rast se ka nevojë për të punësuar shtesë në Ministri (pozita të rregullta), të sigurojnë se në buxhetin e viteve në vijim në kategorinë paga dhe mëditje të përfshihen pagat e të gjithë të punësuarve të nevojshëm, duke i procesuar përmes sistemit të pagave.”, rekomandon raporti.

Përmes letër konfirmimit nga kjo ministri drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditmit konfirmohet se e kanë pranuar raportin e auditimit të Pasqyrave Financiare Vjetore  të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2019, pajtohen me të gjeturat duke mos i komentuar ato.