Foto: Autostrada "Ibrahim Rugova"

Gjendja e rrugëve pas reshjeve të borës

Gjendja e rrugëve të cilat janë nën menaxhimin e Ministrisë së Infrastrukturës, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përshkruhet si e mirë dhe nën kontroll.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Departamentit për Menaxhim të Rrugëve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Gëzim Osmani.

“Rrugët janë në gjendje të mirë për momentin, kompanitë janë në gatishmëri dhe janë në terren”, tha Osmani.

Osmani tha se në rrugë është hedhur krip dhe janë të kalueshme.

“Reshje ka në autostradë deri në Malishevë ka, Prizreni nuk ka, në Pejë ka filluar nga pak, por jo sikur në Prishtinë”, u shpreh ai për KALLXO.com.

Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar njofton vazhdimisht për gjendjen e rrugëve nëpër pikat kufitare të Kosovës.

Në kohën kur janë rifreskuar të dhënat, shumica prej tyre janë paraqitur të kalueshme në përjashtim të magjistrales Fushë-Pajtim – Glloboqicë, Gjilan – Muçibabë, Pejë – Kullë, Prishtinë – Mutivodë, Mitrovicë – Bërnjak, Mitrovicë – Jarinjë, në të cilat duhet të përdoren pajisjet dimërore.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë ditës së nesërme vendi do të përballet me temperatura të ftohta.

Temperatura minimale do të lëvizë nga -6 deri në -8 gradë kurse ajo maksimale deri në -1 gradë Celsius.