Gjendet një veturë e djegur, dy kilometra larg vendit ku ndodhi vrasja në Prishtinë - FOTO

Një veturë e djegur është gjetur rreth dy kilometra larg vendit ku ka ndodhur një vrasje sonte në Prishtinë.

Perimetri rreth veturës, e cila gjendet afër Lagjes së Spitalit, është rrethuar me shirit nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Policia nëse kjo veturë ka të bëjë me rastin, mirëpo ajo nuk ka dhënë përgjigje.

Qendra e Zjarrfikësve në Prishtinë ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë fikur zjarrin në një veture të djegur pak minuta më parë.

As ata nuk kanë dhënë detaje nëse kjo lidhet me këtë rast.

Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave më armë zjarri sonte rreth orës 20:00 në “Rrugën C” në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 20:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në “Rrugën C” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete” – ka thënë ajo.

Ajo ka njoftuar se policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në rast.