Gjakovë - gjendet i varur një 27 vjeçar në tarracën e një hoteli

Një person i moshës 27 vjeçare është gjendur i varur në tarracën e një hoteli në komunën e Gjakovës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Nysret Xhurkaj i cili ka thënë se sot rreth orës 14:00, stacioni policor është njoftuar për rastin.

“Patrulla policore ka shkuar në lokacion dhe ka takuar punëtorin në hotel dhe i njëjti ka informuar se këtë person e ka pranuar mbrëmë rreth mesnatës, kurse sot ka vërejtur këtë person të varur në tarracën e hotelit”, ka njoftuar Xhurkaj për KALLXO.com

Xhurkaj bëri të ditur se në vendngjarje ka dalë emergjenca dhe mjeku kujdestar të cilët kanë bërë konstatimin e vdekjes së 27 vjeçarit.

Ai shtoi se në lidhje me rastin është informuar edhe prokurori kujdestar i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Pas procedimit të vendit të ngjarjes trupi i viktimës është ekzaminuar dhe tërhequr nga ekipi i mjekësisë ligjore, ku me urdhër të prokurorit viktima është dërguar ne Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi”, ka informuar Xhurkaj.

Sipas Xhurkajt, viktima në fjalë është shqiptar nga Kosova me shtetësi amerikane, ndërkaq hetimet për rastin vijojnë.