Gjakovë - Gjenden mbetje mortore me veshje me emblemë të UÇK-së në fshatin Brekoc - FOTO

Në varrezat e qytetit të Gjakovës, janë gjetur mbetje mortore. Kështu ka bërë të ditur sot Policia nëpërmjet një njoftimi për media.

Sipas njoftimit, në Lagjen e ‘Brekocit’, të komunës së Gjakovës në vendin ku janë të varrosur dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë, ishin gjetur këto mbetje të një personi të paidentifikuar, por që i njëjti kishte qenë me veshje ushtarake dhe emblemë të UÇK-së.

Për këtë rast, nga ana e patrullës policore është kontaktuar dëshmitari i rastit, i njëjti është punëtor i varrezave të qytetit.

Policia tregon se punëtori derisa ka qenë duke hapur një gropë varri, ka hasur në këto mbetje mortore.

Sipas Policisë, dyshohet se këto mbetje i përkasin një ushtari të UÇK-së, por ende të paidentifikuar dhe se ende nuk dihet se nga kush është varrosur aty.

Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e hetimeve të stacionit policor në Gjakovë dhe pritet që së shpejti të dalin edhe njësia qendrore e hetimit të krimeve të luftës.