Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: Isa Mustafa jetoi me vite në Gjermani si ministër i Financave dhe nuk krijoi asnjë kontakt

Ish-anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Donika Gërvalla, e ka akuzuar rëndë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Sipas Gërvallës, Mustafa nuk di të krijojë marrdhënie me një shtet apo një qeveri tjetër.

“Unë e njoh Isa Mustafën që nga viti 1992-93. Nëse ka ndonjë gjë që Isa Mustafa nuk di të bëjë, është që të krijojë marrdhënie me ndonjë shtet apo me ndonjë qeveri”, tha Gërvalla në “Kallxo Pernime”.

Sipas saj, Isa Mustafa ka jetuar për disa vite në Gjermani ku dhe ka mbajtur pozitën e ministrit të Financave në qeverinë ne ekzil, por Gërvalla thotë se ai nuk ka krijuar asnjë kontakt.

“Isa Mustafa i zotëron shumë mirë këto veglat e prapaskenës, që t’i jep një vend pune njërit, apo një shpërblim dikujt për një lojalitet për qëllime të gabuara. Por Isa Mustafa kaq vite që ka jetuar në Gjermani, asnjë kontakt më të voglin nuk e ka krijuar si ministër i Financave me shtetin gjerman dhe ka jetuar me vite të tëra atje. Isa Mustafa nuk sheh “networker”. Isa Mustafa është njeri që shikon se kë mund ta blejë dhe sa e ka çmimin”, tha në mes tjerash Gërvalla.