Gërvalla dhe Minxhozi diskutojnë për raportet bilaterale Kosovë - Shqipëri

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi me të cilin diskutuan rreth situatës aktuale me pandeminë, dhe në veçanti për zhvillimet politike në rajon.

Gërvalla tha se Kosova aspiron të zhvillojë raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet që ajo kufizohet, duke shtuar se bashkëpunimi ndërshqiptar nuk e pengon këtë qasje, por përkundrazi, ofron më shumë paqe, siguri dhe prosperitet për gjithë rajonin.

Gërvalla falënderoi ambasadorin Minxhozi për kontributin që Republika e Shqipërisë ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat e bashkëpunimit, dhe në veçanti i shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar së fundmi me vaksinat anti-Covid për stafin shëndetësor të Republikës së Kosovës.

“Duke u bazuar në historinë tonë të përbashkët, nuk është asgjë sekrete se Republika e Shqipërisë është partneri ynë kryesor strategjik në rajon, prandaj është shumë e natyrshme që edhe si klasë politike edhe si institucione të aplikojmë politika shtetërore që kanë për qëllim vullnetin e qytetarëve tanë”, tha Gërvalla.

Sipas komunikatës së lëshuar nga kjo ministri, Gërvalla ka thënë se Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë duhet të lënë mënjanë politikën ditore kur bëhet fjalë për raportet bilaterale midis tyre, të fokusojnë energjitë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të nënshkruara midis dy vendeve, si dhe të harmonizojnë agjendat shtetërore, duke u bazuar në interesin tonë kombëtar.

Gërvalla dhe Minxhozi biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investimeve të ndërsjella, me synim gjenerimin e vendeve të reja të punës, në veçanti në fushën e turizmit.