Foto: Ismail Gashi/Facebook

Gazetari fitoi padinë ndaj gazetës kosovare

Gazetari Ismail Gashi pas 12 viteve ka fituar një betejë gjyqësore që ka pasur me një gazetë në Kosovë.

Bëhet fjalë për gazetën “Kosova Sot”, që sipas Gashit ka pronar Ruzhdi Kadriun.

“Pas 12 vitesh Gjykata konstatoi se e ashtuquajtura ‘Kompani Mediale Botuese ‘Kosova sot’, me pronar Ruzhdi Kadriun, kishte shkelur Ligjin e Punës për shkëputje të njëanshme të kontratës, mes meje dhe kompanisë” – ka shkruar ai.

Ai tutje ka shtuar se drejtësisë kosovare i janë dashur 12 vite të vendosë kah rëndojnë më shumë argumentet për një padi për shkëputje të njëanshme të kontratës.

“Unë dhe avokati im, Bashkim Latifi, nuk kemi pasur asnjë dilemë për epilogun e Vendimit, por as ndonjë përfitim material nuk e kemi pretenduar. Mirëpo për kohën e një vendimi meritor ai nuk ishte optimist aspak, sepse e njihte shumë mirë sistemin e drejtësisë. Megjithatë, ne nuk u dorëzuam” – ka shkruar Gashi.

Tutje gazetari Gashi ka shkruar se sado që për të rruga për të ‘prekur’ drejtësinë ishte shumë e gjatë e me shumë gropa e pengesa, i inkurajon të gjithë që të mos dëshpërohen e të mos bëjnë vetëgjyqësi.

“Kushdo që në një mënyrë ose tjetër është përballur me padrejtësi të ndryshme gjatë jetës, të mos heqin dorë” – ka shtuar Gashi.

Ai ka shkruar se rasti i tij dëshiron që të shërbejë si thirrje edhe për gazetarët, të cilët në punën e tyre, sipas tij jo rrallë janë gjendur të pambrojtur e të pakënaqur nga drejtësia dhe ‘punëdhënësit e tyre sadistë e primitivë’.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga ana e gazetës “Kosova Sot”, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk kanë kthyer përgjigje. Po ashtu, nga gazeta në fjalë kanë qenë të pa qasshëm në numrin e tyre të telefonit.