Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Një Qeveri e cila erdhi me flakë në pushtet, po digjet nga fjalët e pushtetit si rezultat i paaftësisë qeverisëse dhe kriminale

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se qeveria është përballur me tri skandale për një javë.

Gashi tha se skandalet janë shtyrja e regjistrimit të popullsisë, djegia e Instituit të Mjekësisë Ligjore dhe angazhimi i Gani Jakupit në MPJD me pagë mbi 7000 euro.

“Skandali i parë është shtyrja e regjistrimit të popullsisë dhe pronës për një kohë të caktuar. Skandali i dytë është djegia për herë të dytë e Institutit të Mjekësisë Ligjore që në vetvete jo që është vetëm skandal por është një rast jashtëzakonisht i rëndë, i cili nuk mund të tolerohet. Më e rëndë bëhet kur ndodhë për here të dytë”- tha Gashi.

Ai theksoi se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se nuk ka dëmtim të arkivave, por që sipas Gashit, raportimet në media tregojnë ndryshe.

“Ministrja e Drejtësisë deklaron publikisht se nuk ka dëmtim të arkivës, nuk ka dëmtim të mostrave mortore dhe ndërkohë në media raportohet që vetëm se ka dëmtim të arkivës e të mostrave por ka dëmtim të mostrave të mbjetjeve mortore të komandatit Adem Jashari, ka dëmtim të mostarve të komandantit Isa Boletini dhe të mos flasim për raste të qytetarëve të tjerë”- u shpreh ai.

“Një qeveri e cila erdhi me flakë në pushtet po djeget nga fjalët e pushtetit si rezultat i paaftësisë qeverisëse dhe qeverisë kriminale, pra kemi dy elemente paafësi qevërisëse dhe qeverisje kriminale dhe këto dyja kur bëhen bashkë janë fatale”- shtoi Gashi.

Gashi gjithashtu tha se do kërkojë sqarime nga qeveria e kryeministri për angazhimin në punë të Gani Jakupit.

“Shtojmë një rast tjetër këtu që është jashtëzakonisht delikat dhe duhet të diskutohet nëpërmjet përfaqësuesit në komision për politikë të jashtme do kërkojmë qasje në dokumentacionin e angazhimit në punë të një personi Gani Jakupi, i cili është anagazhuar të punojnë në MPJD me një pagë 7,500 euro në muaj, duam të dijmë si është shpallë tenderi e rekrutimi dhe në aspektin politik do kërkoja nga qeveria të japin sqarime”- ka thënë Gashi.

Dy zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore u kapluan nga zjarri në orët e hershme të së martës. Njëra nga këto zyre i takon edhe drejtorit të IML-së, Ditor Halilit, e njoftimet zyrtare bëjnë me dije se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit dhe mostrave.