Gashi: Komunat së shpejti me ligj të ri që do nxis shërbime cilësore për qytetarët

Projektligji për sistemimin e menaxhimit të performancës së Komunave dhe skemës së granteve bazuar në performancë ka kaluar në mbledhjen e fundit të qeverisë së Kosovës.

Kryesuesi i grupit punues të këtij Projektligji, Diellor Gashi nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka deklaruar se ky projektligj do t`i vendos shtyllat e matjes së performancës se komunave dhe do të nxisë shërbime më cilësore të komunave për qytetarët e Kosovës.

“Projektligji vendos shtyllat e matjes së performancës së komunave, ndërlidh të arriturat e tyre me sistemin e shpërblimeve për të nxitur shërbime sa më cilësore, themelon Grantin për Performancë Komunale si një skemë të veçantë të financimit sipas kritereve objektive dhe meritore, si dhe siguron qëndrueshmëri të financimit të komunave përmes fondeve publike dhe të donatorëve”, ka shkruar kryesuesi i grupit punues për hartimin e këtij ligji, Diellor Gashi.

Ai tutje ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar dhe janë angazhuar në hartimin e këtij projektligji.

“Suksesi i arritur është meritë e përbashkët e të gjithë anëtarëve të grupit punues, stafit të ministrisë, ekspertëve, projektit DEMOS, Institutit KLGI, përfaqësuesve të komunave dhe shoqërisë civile”, ka shkruar Gashi.

Tutje ai ka shkruar se: “Në cilësinë e Kryesuesit të Grupit Punues për hartimin e Projektligjit për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Komunave dhe Skemës së Grantit të bazuar në Performancë, nuk kam se si të ndjehem më mirë, derisa në kohë rekorde kemi arritur të draftojmë këtë projektligj i cili u aprovua sot në mbledhjen e Qeverisë, në mënyrë që të hapen rrugë për avancimin e qeverisjes lokale në vend”.

Kujtojmë se ky proces deri me tani ka qenë i rregulluar me një akt nënligjor.