Gashi: 3 vjet nuk u investua në sinjalistikë të rrugëve

Nezir Gashi, drejtor i Departamentit për Siguri në Ministrinë e Infrastrukturës, tha se që nga viti 2017 deri më 2022 nuk ka pasur investime në sinjalistikë të rrugëve.

Sipas tij, vitin e kaluar është bërë diçka lidhur me këtë por që nuk ka mjaftuar.

“Sinjalizimi horizontal dhe vertikal është bërë sipas Departamenti për sigurinë e rrugëve, është ndarë një pjesë e buxhetit, pra janë bërë këto vijat e bardha por që kanë qenë të kualitetit të dobët dhe janë shlyer pothuajse menjëherë” – ka thënë Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij janë ndarë 9 milionë euro për 3 vitet e ardhshme për menaxhimin e rrugëve, sinjalizimin e tyre.

“5.5 milionë euro janë ndarë për autostradën ‘Ibrahim Rugova’, ndërsa për sinjalistikën horizontale, tani e tutje do të përdoret materiali do të jetë termoplastikë, që do të thotë se e kanë qëndrueshmërinë deri në 3 vjet” – ka thënë Gashi.