Policia e trafikut. Foto: Kallxo.com
Mbi 35 mijë shoferëve u është konfiskuar patentë shoferi
_________________________________________________________________________________
Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të komunikacionit rrugor në Policinë e Kosovës, ka thënë se janë 35 mijë e 191 shoferë që kanë ndalesë drejtimi të automjetit në kohëzgjatje prej 3 muaj deri në dy vjet.
“Aq e sheh ligji për kundërvajtje, që i bie 7 mijë shoferë në vit. Janë 90 mijë shoferë që kanë marrë pikë negative që me grumbullimin e tyre do të jenë edhe masa tjera ndëshkuese” – ka thënë nënkoloneli Jeton Rexhepi në emisionin “Kallxo Përnime”.
Sipas Rexhepit, Komisioni Evropian ka publikuar statistikat për shtetet anëtare të BE-së dhe për Ballkanin Perëndimor, ku Kosova është një ndër shtetet me më së paku vdekje në trafikun rrugor në 1 milion banorë.
Ai ka folur edhe për rastin e kapitenit të Policisë, i cili ishte zënë nga IPK-ja duke vozitur i dehur.
“Nuk është rasti as i pari as i fundit ky. Policia ka mekanizma edhe mbikëqyrës. Në këtë rast është një kundërvajtje, aspekt fillestar, në bazë të shkeljes i jepet rekomandimi për personin në fjalë” – ka thënë Rexhepi.
Ndryshe një zyrtar policor me gradën kapiten është suspenduar nga detyra nën dyshimin se ka kryer veprën penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
I njëjti, sipas një njoftimi të Inspektoratit Policor të Kosovës, nën ndikim të alkoolit, jashtë detyrës zyrtare ishte duke vozitur veturën e tij në mënyrë të rrezikshme.
Fillimisht, sipas njoftimit të IPK-së, Policia ishte njoftuar nga qytetarët se kishin vërejtur një vozitje të rrezikshme në Gjilan e që u ishte rrezikuar jeta dy qytetarëve.