Francë: një vajzë britanike, 11 vjeçe, u qëllua për vdekje në kopshtin e familjes  

Një vajzë 11-vjeçare britanike u qëllua për vdekje teksa luante me kolovajzë në kopshtin e shtëpisë së saj familjare në një fshat në Francën perëndimore të shtunën.

Babai dhe nëna e vajzës u plagosën gjithashtu në sulmin në fshatin Saint-Herbot në Brittany, ndërsa motra e saj tetë vjeçare shpëtoi e padëmtuar.

Familja Thornon, e cila jeton në fshat prej rreth pesë vitesh, po shijonte një Barbecue në kopshtin e tyre dhe vajzat po luanin me kolovajzë rreth orës 22 të së shtunës, kur një burrë u shfaq me një armë dhe qëlloi disa të shtëna.

Solenne Thornon, 11, u vra menjëherë, ndërsa babai i saj, 52-vjeçari Adrien, u qëllua në kokë. Ai u dërgua në spital ku gjendja e tij u cilësua si kritike.

Sipas prokurores publike, Carine Halley, nëna e vajzave, Rachel, 49 vjeçe, u raportua se ishte një ndihmëse lokale në shtëpi, u qëllua në shpinë dhe në kokë, por thuhet se është jashtë rrezikut. Vajza më e re, Céleste, tetë vjeç, u arratis në një pronë fqinje dhe e raportoi rastin.

Prokurorja Halley tha se një holandez 71-vjeçar që jetonte në të njëjtin fshat ishte arrestuar në lidhje me të shtënat. Edhe gruaja e tij po merrej në pyetje.

Mediat franceze raportuan se kishte pasur një konflikt mes familjes britanike dhe fqinjëve të tyre për një ngastër toke.

Vrasja erdhi vetëm disa ditë pasi një vajzë trevjeçare britanike ishte mes katër fëmijëve dhe dy të rriturve të vrarë me thikë në një park në Annecy në Francën lindore./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala