FOTOGALERI: Homazhet për Astrit Deharin

Në Prishtinë u zhvillua një aktivitet simbolik në përkujtim të ish-anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili ka vdekur në qelinë e Qendrës së Paraburgimit të Prizrenit tre vjet më parë

Me këtë rast, pranë një murali kushtuar Astrit Deharit janë ndezur qirinj, janë vendosur lule dhe kartolina me mesazhe për familjen e tij.

Të pranishëm në këto homazhe kanë qenë prindërit e Astritit, Xhemile e Avni Dehari, bashkëshortja Arta Boshtraj-Dehari, motra Albana Dehari.

Në përkrahje të familjes, erdhën edhe kryetari i VV-së Albin Kurti, ish-deputetët Albulena Haxhiu, Mimoza Kusari-Lila, Xhelal Sveçla, Sami Kurteshi si dhe një numër i madhe i anëtarëve të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe qytetarëve.

Në një fjalë rasti, Avni Dehari tha se raporti zviceran u ka dhënë fund deklaratave se Astriti është vetëvrarë.

“Që nga 5 nëntori i vitit 2016 deri 5 ditë më parë organet shtetërore ose përfaqësuesit e drejtësisë vazhdimisht kanë bërë përpjekje që të na mbushin mendjen se Astriti është vetëvrarë në burgun e Prizrenit. Por me raportin e fundit të ardhur nga Zvicra konstatimi se djali jonë është vetëvrarë ka marrë fund”, tha ai.

Sipas tij, familja Dehari nuk do të ndalet deri sa para drejtësisë të hidhen të gjithë ata që kanë pasur gisht në vrasjen e Astrit Deharit.

“Me këtë raport faza e parë e betejës për drejtësi për rastin e Astrit Deharit ka ngadhënjyer dhe është përmbyllur, tash hapet faza e dytë e betejës për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që në mënyrë të drejtpërdrejte dhe në mënyrë të tërthortë kanë marrë pjesë në vrasjen e birit tonë”, theksoi ai.

Marshi me moton “Unë jam Astriti!” është organizuar nga organizata të shoqërisë civile.

LIVE: Homazhe në nderim të Astrit Deharit

 

Fjalët që Avni Dehari i shkroi në muralin kushtuar djalit të tij, Astritit

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, ka ardhur në përfundim në raportin prej 58 faqesh, se gjasat janë të vogla që Astrit Dehari ta ketë vrarë veten në burg.

Aty gjithashtu thuhet se analizat e ADN-së që janë kryer në laboratorin e Institutit zviceran, kanë nxjerrë një profil të ADN-së së të ndjerit, ani pse nga ekspertët kosovarë është thënë se mostra përmban pak ose krejt pak ADN.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet ndër të tjera në raport.

Avokati i familjes, Tomë Gashi, ka thënë se Astrit Dehari është vrarë pasi ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa Prokuroria Themelore në Prizren ka paralajmëruar se do t’i vazhdojë hetimet lidhur me rastin.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Ai vdiq derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016.

Rasti i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer në rigjykim, por ende nuk është caktuar data.