LIVE: Homazhe në nderim të Astrit Deharit

Në Prishtinë është duke u zhvilluar një aktivitet simbolik në përkujtim të ish-anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili ka vdekur në qelinë e Qendrës së Paraburgimit të Prizrenit tre vjet më parë.

Me këtë rast, pranë një murali kushtuar Astrit Deharit janë ndezur qirinj, janë vendosur lule dhe kartolina me mesazhe për familjen e tij.

Në mesin e atyre që ndezën qirinj ishin edhe prindërit e Astrit Deharit, Avniu e Xhemilja, si dhe bashkëshortja e tij, Arta.

I pranishëm është edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Marshi me moton “Unë jam Astriti!” është organizuar nga organizata të shoqërisë civile.

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, ka ardhur në përfundim në raportin prej 58 faqesh, se gjasat janë të vogla që Astrit Dehari ta ketë vrarë veten në burg.

Aty gjithashtu thuhet se analizat e ADN-së që janë kryer në laboratorin e Institutit zviceran, kanë nxjerrë një profil të ADN-së së të ndjerit, ani pse nga ekspertët kosovarë është thënë se mostra përmban pak ose krejt pak ADN.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet ndër të tjera në raport.

Avokati i familjes, Tomë Gashi, ka thënë se Astrit Dehari është vrarë pasi ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa Prokuroria Themelore në Prizren ka paralajmëruar se do t’i vazhdojë hetimet lidhur me rastin.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Ai vdiq derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit.

Rasti i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer në rigjykim, por ende nuk është caktuar data.