Fjalët që Avni Dehari i shkroi në muralin kushtuar djalit të tij, Astritit

Gjatë aktivitetit në përkujtim të Astrit Deharit, babai i aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Avniu, ka shkruar disa fjalë në muralin kushtuar djalit të tij.

“Astrit, shëmbëlltyra jote për drejtësi gjithmonë do të jetë e gjallë dhe ngadhënjimtare! Avni, Xhemile dhe Arta Dehari, si dhe Albana”, ka shkruar Avni Dehari.

Në një fjalë rasti, Avni Dehari tha se raporti zviceran u ka dhënë fund deklaratave se Astriti është vetëvrarë.

“Që nga 5 nëntori i vitit 2016 deri 5 ditë më parë organet shtetërore ose përfaqësuesit e drejtësisë vazhdimisht kanë bërë përpjekje që të na mbushin mendjen se Astriti është vetëvrarë në burgun e Prizrenit. Por me raportin e fundit të ardhur nga Zvicra konstatimi se djali jonë është vetëvrarë ka marrë fund”, tha ai.

Sipas tij, familja Dehari nuk do të ndalet deri sa para drejtësisë të hidhen të gjithë ata që kanë pasur gisht në vrasjen e Astrit Deharit.

“Me këtë raport faza e parë e betejës për drejtësi për rastin e Astrit Deharit ka ngadhënjyer dhe është përmbyllur, tash hapet faza e dytë e betejës për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që në mënyrë të drejtpërdrejte dhe në mënyrë të tërthortë kanë marrë pjesë në vrasjen e birit tonë”, theksoi ai.

Në Prishtinë është duke u zhvilluar një aktivitet në përkujtim të Astrit Deharit, i cili tre vjet më parë vdiq në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej si i dyshuar për sulmin me granata ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Në këtë aktivitet, të organizuar nga organizata të shoqërisë civile, po merr pjesë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Gjatë aktivitetit janë ndezur qirinj, janë vendosur lule dhe kartolina me mesazhe solidarizuese me familjen Dehari.