FOTOGALERI- Gjendja e Qendrës së Studentëve pas mbylljes së karantinës

Për më shumë se dy muaj, Qendra e Studentëve në Prishtinë strehoi qindra qytetarë kosovarë që erdhën nga shtetet tjera.

Kjo pasi një vendim i qeverisë e ktheu këtë qendër në karantinë. Si e tillë, kjo qendër shërbeu deri më 27 maj.

Në  katër konviktet e QS-së gjatë këtyre muajve ishin të karantinuar mbi 1500 persona. KALLXO.com ka siguruar pamje brenda konvikteve për të parë se në çfarë gjendje janë lënë dhomat e studentëve kosovarë që mund të kthehen në shtator.

Drejtori i Strehimit në QS, Isak Beha tregon se gjendja e në këto objekte para se të shndërrohej në karantinë ka qenë e mirë.

“Ka pas veprime të caktuara nga persona të karantinuar që kanë shkaktu dëme të llojeve të ndryshme, si për shembull thyerje të dyerve, humbje të çelësave, dëmtime në banjo, dëmtim të lavamanëve”

Beha thotë se se janë duke i përgatitur raportet për dëmet e shkaktuara të cilat do të dërgohen në Ministrinë e Shëndetësisë

“Do të dërgojmë nga një kopje në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit edhe Qeverisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

KALLXO.com kishte raportuar për gjërat e studentëve që ishin larguar në mënyrë të shpejtë nga qendra në kohën kur u shndërrua në karantinë. Me tu kthyer për t’i marrë këto gjëra ata raportuan humbje dhe dëmtime të gjërave personale.

Më poshtë mund të gjeni pamje të hapësirave të QS-së pas mbylljes së karantinës.