(FOTO) Nis ndërtimi i një memoriali në vendin ku është bërë dalja publike e UÇK-së në Llaushë të Skenderajt

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar se kanë vënë gurthemelin e ndërtimit të memorialit të daljes publike të UÇK-së në Llaushë të Skenderajt.

“Bashkë me nënkryetarin gjeneral Sami Lushtaku, komandantin Jetullah Geci, deputetë të Parlamentit të Kosovës, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe bashkëqytetarët, vumë gurthemelin e ndërtimit të një vepre monumentale të kujtimit të pavdekshëm dhe nderimit të përjetshëm të çastit më historik të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë më 28 nëntor 1997. Mirënjohje e përjetshme për UÇK-në!” – ka shkruar Nura në Facebook.

Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.

Kësaj dalje i paraprijnë luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë në Vojnik të Skenderajt, të cilat u tërhoqën, duke lënë të vrarë dhe të plagosur.

Të nesërmen me 26 nëntor, një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në ketë fshatë, ku UÇK prapë i sulmoi dhe pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën duke lënë prapa të vrarë dhe të vdekur.Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë UÇK, filluan të qëllojnë pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe më 28 nëntor 1997.

Në këtë ceremoni varrimi, ku morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë nga mbarë Kosova, u bë dalja e parë publike e UÇK-së.