FOTO: Banorët e fshatit Prelez i Jerlive protestojnë kundër ndërtimeve në oborr të shkollës

Në fshatin Prelez i Jerlive në komunën e Ferizajt sot kanë protestuar dhjetra qytetarë.

Visar Pajaziti, banor në këtë fshat tha për KALLXO.com se në oborrin e shkollës fillore ‘Ismajl Qemajli’ kanë filluar gropimet për ndërtim nga një kompani.

Banorët po kundërshtojnë këto punime dhe për këtë kanë dalur në protestë sot para oborrit të shkollës.

“Është oborr i shkollës tash e 70 vjet. I kanë hjek rrethojën e oborrit të shkollës dhe kanë fillu me punu këtu. Pak më herët erdhën inspektoriati dhe thanë që nuk ka as leje për ndërtim, e ndërprejtën (punimet)shkun intervenun në komunë dhe pas gjysmë ore i lejun me punu”, tha Pajaziti për KALLXO

Në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe Policia të cilët sipas qytetarit kanë ushtruar dhunë ndaj disa banorëve të këtij fshati.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë në Ferizaj, Agim Gashin i cili ka thënë se kompania e ka lejen për ndërtim.

“Inspeksioni komunal pasi që e ka pezullu punën i ka kontrolluar dokumentet dhe i ka lejuar punën dhe punimet janë duke i vazhdu”, tha zëdhënësi.

Tutje Gashi tha se dy protestues janë shoqëruar në polici dhe më pas janë liruar.

“ Në raport thuhet se janë shoqëruar (për në stacionin policor) dy persona është përdorur spreji i syve. Me urdhër të prokurorit kujdestarë dy persona janë liruar”. Tha Gashi për KALLXO.com