Forcat ruse kishin qenë shumë afër kapjes së Zelenskiy gjatë orëve të para të pushtimit

Një intervistë me revistën Time zbulon se trupat ruse i kanë bërë dy përpjekje për ta sulmuar kompleksin presidencial ndërkohë që Zelenskiy dhe familja e tij ishin brenda.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, e ka përshkruar sesi forcat ruse ishi afër  kapjes ose vrasjes së tij në orët e para të pushtimit.

Zelenskiy është lavdëruar gjerësisht për reagimin e tij ndaj pushtimit në 65 ditët që kur trupat e para ruse janë futur në Ukrainë. Ai i është drejtuar Kongresit Amerikan, Bankës Botërore dhe Çmimeve Grammy; Boris Johnson është ndër figurat e profilit të lartë që është parë në shoqërinë e tij.

Por koha e tij si udhëheqës i një vendi nën sulm nga një fqinj shumë më i fuqishëm mund të kishte përfunduar brenda disa orësh nga fillimi i pushtimit, sipas revistes Time.

Duke folur me gazetarin Simon Shuster, i cili i kaloi dy javë në kompleksin presidencial në Kiev, Zelenskiy e përshkroi se si trupat ruse iu kishin afruar lokacionit të tij dhe familjes së tij, ndërkohë që ata u përpoqën të fusnin në  kontroll qarkun qeveritar të kryeqytetit në ditën e parë të konfliktit.

Ndërsa shumë nga kujtimet e tij për ato orët e para mbetën të “fragmentuara”, Zelenskiy tha se agimi i 24 shkurtit ishte i dukshëm.

Pasi kishte filluar bombardimi, ai dhe gruaja e tij, Olena Zelenska, shkuan t’i tregonin vajzës së tyre, 17 vjeçare, dhe djalit, nëntë, që të përgatiteshin të largoheshin nga shtëpia e tyre. “Ne i zgjuam ata”, tha Zelenskiy për Time. “Dëgjohej zhurmë e lartë. Kishte shpërthime atje.”

Ushtria ukrainase i tha Zelenskiy-t se ekipet ruse të sulmit kishin aterruar me parashutë në Kiev për ta vrarë ose kapur atë dhe familjen e tij. “Para asaj nate, gjëra të tilla ne kishim parë vetëm në filma,” tha për Time Andriy Yermak, shefi i stafit të Zelenskyyt.

Përleshjet me armë shpërthyen rreth lagjes së qeverisë ndërsa nata ra në ditën e parë të luftës, shkroi Shuster. “Rojet brenda kompleksit i mbyllën dritat dhe sollën jelek antiplumb dhe pushkë sulmi për Zelenskiy dhe për një grup njerëzish që e ndihmonin atë.”

Një nga zyrtarët e paktë që dinte të përdorte armët ishte Oleksiy Arestovych, një veteran i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës. “Ishte një çmendinë absolute,” tha Arestovych për Time. “Automatikë për të gjithë.”

Trupat ruse bënë dy përpjekje për ta sulmuar kompleksin ndërkohë që familja e Zelenskiy ishte ende brenda, sipas Shuster.

Natën tjetër, pasi i refuzoi ofertat për një mjedis më të sigurt – duke përfshirë një evakuim nga forcat amerikane dhe britanike që do t’i mundësonte të krijonte një qeveri në mërgim – Zelenskiy doli jashtë në oborr për ta regjistruar një video-mesazh tashmë të famshëm në telefonin e tij.

Në atë moment Zelenskiy tha se ai u bë vërtet i vetëdijshëm për rolin e tij në luftë. “E kuptoni se ata po shikojnë,” i tha ai revistës. “Ti je një simbol. Duhet të veproni ashtu siç duhet të veprojë kreu i shtetit.”/The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala