Putin sot feston ‘Ditën e Fitores' në kohën kur Rusia intensifikon sulmet në Ukrainën lindore

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka konfirmuar se 60 persona që ishin strehuar në një shkollë në Bilohorivka, pranë qytetit lindor të Luhansk, u vranë kur forcat ruse bombarduan këtë shkollë në fundjavë. OKB-ja e ka dënuar sulmin, me Sekretarin e Përgjithshëm António Guterres duke thënë se ishte “i tmerruar” nga sulmi në fjalë.

Më shumë se 170 civilë u evakuuan me sukses nga fabrika e çelikut “Azovstal” në Mariupol dhe kanë arritur në Zaporizhzhia. Zyrtarët ukrainas thanë se më shumë se 600 njerëz janë evakuuar nga uzina dhe nga Mariupoli në total.

Anëtarët e batalionit Azov të Ukrainës të bllokuar brenda fabrikës së çelikut “Azovstal” ndërkohë thanë se kanë frikë se do të vriten nëse kapen nga forcat ruse, ndërkohë që iu lutën autoriteteve ukrainase që t’i ndihmonin në rregullimin e nxjerrjes së tyre nga atje. Duke folur për mediat nga brenda fabrikës së çelikut të rrethuar, toger Illya Samoilenko u zotua të luftojë, duke thënë se dorëzimi do të ishte një “dhuratë” për armikun.

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë të G7 zhvilluan një video-telefonatë me Zelenskiyn në një shfaqje uniteti përpara festimeve të Ditës së Fitores së Rusisë të hënën. G7 tha se është i përkushtuar për ta hequr ose ndaluar naftën ruse dhe e denoncoi pushtimin e Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin. “Veprimet e tij sjellin turp për Rusinë dhe sakrificat historike të popullit të saj”, tha grupi në një deklaratë, duke iu referuar rolit të Rusisë Sovjetike në mposhtjen e Gjermanisë naziste 77 vjet më parë.

Ndalimet e reja të vizave të SHBA për më shumë se 2600 zyrtarë ushtarakë rusë dhe bjellorusë përfshijnë personelin që besohet se ka vepruar në Bucha, qyteti jashtë Kievit që është bërë sinonim i krimeve të luftës, tha sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.

Kryediplomatja amerikane në Ukrainë, Kristina Kvien,arriti me ekipin e saj në Kiev të dielën në një hap drejt rifillimit të pranisë së Amerikës në kryeqytet. Vizita u caktua për ta përkujtuar Ditën e Fitores në Evropë.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau premtoi armë të reja dhe pajisje të tjera për Ukrainën pas një vizite të papritur në Ukrainë gjatë së cilës ai vizitoi qytetin Irpin, në periferi e Kievit dhe skenë e disa prej sulmeve më të këqija të hershme nga Rusia. Ai tha gjithashtu se Kanadaja do t’i heqë tarifat tregtare për të gjitha importet e Ukrainës për vitin e ardhshëm.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Berlini kishte “bërë një gabim” pasi i ndaloi të gjithë flamujt, përfshirë flamujt ukrainas, si pjesë e vendimit të tij për t’i shtypur të gjitha paraqitjet e mbështetjes publike për pushtimin rus në Ditën e Fitores. “Ta largosh flamurin ukrainas nga protestuesit paqësorë është një sulm ndaj kujtdo që tani mbron e Evropën dhe Gjermaninë nga agresioni rus me këtë flamur në duar”, tha ai.

Gruaja e presidentit amerikan, Jill Biden, u takua me zonjën e parë të Ukrainës, Olena Zelenska, në një vizitë tjetër të paparalajmëruar të dielën për ta shënuar Ditën e Nënës, ndërsa Bono dhe Edge të grupit të famshëm muzikor U2 performuan në një strehë kundër bombave në Kiev.

Në një fjalim për ta shënuar ditën e përkujtimit dhe pajtimit të 8 majit të Ukrainës, Zelenskiy tha se vendi i tij bëri homazhe për të gjithë ata që ndihmuan në mposhtjen e Adolf Hitlerit, por e akuzoi Rusinë për përsëritjen e krimeve të tij. “Këtë vit ne themi ‘Kurrë më’ ndryshe. Ne dëgjojmë “Kurrë më” ndryshe. Tingëllon e dhimbshme, mizore por me pikëpyetje. Ju thoni: kurrë më? Tregoji Ukrainës për këtë.”

Ukraina do të mbizotërojë mbi Rusinë ashtu siç mbizotëroi liria mbi diktaturën naziste në vitin 1945, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, në një fjalim televiziv për ta shënuar 77-vjetorin e Ditës së Fitores në Evropë. Scholz, marrëdhëniet e të cilit me Zelenskiy kanë qenë të ftohta, nuk ka thënë ende nëse do të pranojë një ftesë për të udhëtuar në Kiev të hënën.

SHBA ka zbuluar një masë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke i marrë si target shërbimet, makinën propagandistike të Rusisë dhe industrinë e saj të mbrojtjes. Ato synojnë kryesisht t’i mbyllin zbrazëtirat në sanksionet ekzistuese dhe ta shtrëngojnë lakun rreth ekonomisë ruse me disa nivele të tjera.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka zgjeruar sanksionet e saj kundër Rusisë për t’i përfshirë tarifat ndëshkuese të importit për metalet e çmuara ruse, si dhe ndalimet e eksportit për produkte të caktuara të Mbretërisë së Bashkuar, për ta rritur presionin ekonomik ndaj Moskës.

Emmanuel Macron, presidenti francez, do të udhëtojë në Berlin për bisedime me kancelarin Scholz të hënën ku edhe do ta mbajë një fjalim për Ditën e Fitores ndaj nazizmit. Ky do të jetë udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga rizgjedhja e tij dhe Ukraina pritet të jetë në krye të axhendës për të dy udhëheqësit./The Guardian