Fillon takimi i presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve në veri

Ka nisur takimi i thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në takim nuk janë parë të jenë prezentë përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Listës Serbe.

Përmes një komunikatë për media, AAK ka treguar arsyen e mospjesëmarrjes ku edhe ka propozuar një plan me katër pika për të dalë nga situata e krijuar në katër komunat e veriut të vendit.

Ndërkaq në takim është prezent edhe kryetari i Partisë së Serbëve në Kosovë, Aleksandar Jabllanoviq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas konsultave me partitë politike pritet të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës për veri. I njëjti u suspendua pasi u dyshua për rezistencë dhe refuzim të lëshimit të fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Për dorëheqjet u njoftua në një takim të jashtëzakonshëm të thirrur nga Lista Serbe. Dorëheqje pati në polici, sistem gjyqësor, nivel lokal, etj.