Marshi për Palestinen. Foto: Jetmir Hoxha/KALLXO.com

Fillon marshi i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist në përkrahje të popullit palestinez

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, bashkë me aktivistë të tjerë të pavarur, kanë nisur një marsh solidariteti me popullin palestinez.

Ky marsh ka nisur në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, dhe vazhdon deri te Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Këtë të enjte ne mblidhemi në shesh për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm dhe solidaritet mbarëkombëtar me popullin palestinez” – thuhet në njoftimin e Kolektivit.

Tutje në këtë njoftim është thënë se për më shumë se një muaj Izraeli është duke e mbajtur nën terror popullin palestinez.

Po ashtu nga Kolektivi u denoncuan qëndrimet zyrtare të shtetit të Kosovës si pozicione pro-gjenocidale.

“Ne kërkojmë përgjegjësi dhe ndryshim të kursit politik shtetëror. Duke e njohur fuqinë transformuese të organizimit, solidaritetit dhe ligjërimit publik, ne thërrasim në mobilizim gjithëpopullor dhe pozicionim të drejtë, të enjten dhe përherë” – thuhet në njoftim.

Sipas Kolektivit, vetëm brenda kësaj periudhe, shteti izreaelit ka vrarë mbi 11 mijë palestinezë, prej tyre rreth 4 mijë fëmijë, ka bombarduar spitale, ka dëbuar, burgosur e lënë pa ushqim, rrymë e shërbime tjera elementare, duke ua bërë jetën të papërballueshme shumicës tjetër që vazhdojnë të jenë gjallë në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

“Dhuna sistematike dhe masakrimi i popullit palestinez është episodi më tragjik i njerëzimit në këtë shekull, dëshmitare/ë të se cilës jemi të gjitha/ë. Një popull i tërë, toka e të cilëve është kolonizuar, është duke u mbajtur nën terror. E përderisa ky popull, gjysma e të cilit në Gaza janë fëmijë, po gjëmon nga vuajtjet, ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur a të paanshëm. Ne nuk mund t’i mbyllim sytë karshit vrasjes e torturimit të tyre. Neve nuk duhet e as nuk mund të na heshtojnë propagandat dhe rreshtimet e institucioneve dhe shteteve evropiane në anën e Izraelit gjenocidal” – tha Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Gjithashtu, Kolektivi tha se solidarizohen me popullin palestinez dhe çdo civil të pafajshëm izraelit.

Kolektivi në fund shtoi se gjithmonë janë me popullin palestinez dhe të drejtën e tyre për liri, dekolonizim dhe jetë pa dhunë.

Marshi për Palestinen. Foto: Jetmir Hoxha/KALLXO.com
Marshi për Palestinen. Foto: Jetmir Hoxha/KALLXO.com