Nënshkruhet kontrata për zgjerimin e rrugës Dollc – Gjakovë

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, sot ka nënshkruar kontratën për zgjerimin e rrugës Dollc – Gjakovë.

Gjithashtu, ministri Lekaj ka renditur disa projekte të cilat do të fillojnë këtë vit në Komunën e Gjakovës, të cilat do t’i kushtojnë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit rreth 1 milion e 162 mijë euro.

Lekaj në publikim ka bërë të ditur se mjetet për përfundimin e këtyre projekteve janë planifikuar nga MIT për dy vitet e ardhshme.

“Javën po e fillojmë me një lajm të mirë, jo vetëm për ju, por për tërë Dukagjinin. Sapo nënshkrova kontratën për fillimin e punimeve në segmentin e parë të zgjerimit të rrugës Dollc – Gjakovë. Komunikacionit të ngarkuar në këtë aks rrugor, më në fund po i vjen zgjidhja duke krijuar kushte më të mira edhe për zhvillimin ekonomik të kësaj zone. Krahas këtij investimi në këtë autoudhë, ju njoftojmë edhe me projektet e reja lokale, të cilat i financon Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Me një buxhet prej rreth 1 milion e 162 mijë, këtë vit fillojnë këto projekte: Ndërtimi i rrugës Shqiponjë – Kralan, Ndërtimi i rrugës Cermjan – Meqe, Ndërtimi i rrugës në Cufadol, Ndërtimi i rrugës Dol – Kushavec, Ndërtimi i rrugës Lipovec – Goden, Ndërtimi i rrugës në fshatin Pjetërshan, Rehabilitimi i rrugës Muharrem Domi, Ndërtimi i rrugës së Radoniqit, Ndërtimi rrugëve në Hereq, Novosellë e Poshtme dhe e Epërme, Palabardh, Janosh dhe Lugbunar, Ndërtimi i rrugës në Ramamat, Ndërtimi i rrugës Dol – Lipovec – Gjakovë, Asfaltimi i rrugës Korenicë – Babaj i Bokës. Për përfundimin e tyre është planifikuar buxheti edhe për dy vitet e ardhshme. Shihemi në fillimin e punimeve, Gjakovë”, ka shkruar Lekaj.