Fajon i uron fitoren Kurtit: Është koha që fjalët të shndërrohen vepra

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, ka përgëzuar Kosovën për zgjedhjet e djeshme të cilat i ka vlerësuar si të drejta dhe demokratike.

“Dua që të përgëzoj Kosovën për zgjedhjet e djeshme të drejta dhe demokratike. Njerëzit kanë votuar për ndryshim dhe tani është koha që fjalët të shndërrohen në vepra”, ka shkruar Fajon në facebook.

Tutje ajo ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe kandidatin e saj të nominuar për kryeministër, Albin Kurtin.

“Uroj Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe të nominuarin për kryeministër, Albin Kurtin”, ka përfunduar Fajon.

Sipas 98 për qind të votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 200 mijë e 754 vota ose 25.5 %, ku pas saj pason Lidhja Demokratike e Kosovës me 195 mijë e 296 vota ose 24.86 për qind dhe Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 166 mijë e 9 vota me 21, 13 për qind.