Escobar: Një vend dhe një lider nuk do të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe evropian

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online për media ka folur lidhur me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me Kosovës dhe Serbisë dhe për tensionet në veri të Kosovës.

Në këtë konferencë Escobar u pyet se apo konsideron SHBA-ja sanksione në lidhje me ngjarjet  fundit.

Mirëpo, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor tha se mendon që përdorimi i fjalës sanksione është i papërshtatshëm për momentin.

“Ambasadori ynë në Kosovë dhe ambasadori ynë në Serbi nuk e kanë përdorur kurrë fjalën sanksione. Ata kanë përdorur fjalën pasoja” – tha Escobar.

Teksa Escobar theksoi se vendet duhet të punojnë që t’i zbatojnë pikat e propozuara nga Evropa dhe Amerika, ai theksoi se një vend dhe një lider nuk do të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe evropian.

“Ne po kërkojmë nga të dy vendet të marrin pjesë në stabilitetin rajonal dhe ata që duan të jenë partnerë me ne do të punojnë ngushtë me evropianët dhe me amerikanët në pikat që ne kemi propozuar, në fakt që ne po insistojmë për të ecur përpara sepse kjo është një çështje rajonale”- tha Escobar.

“Pra, një vend dhe një lider nuk do të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe evropian. Pra, ata që refuzojnë partneritetin do të shohin pasoja” -shtoi ai.

Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët të futen në ndërtesat komunale, me gjithë kundërshtimet e serbëve lokalë.

Ato kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it.

Dhjetëra të plagosur u raportuan nga të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

Kërkesë e protestuesve serbë, deri më tash, ishte tërheqja e forcave speciale të Kosovës, si dhe lirimi i të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta.

Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona të dyshuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale, por vetëm tre prej tyre iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.

I fundit që u arrestua ishte Millun Millenkoviq – Llune, për të cilin autoritetet kosovare pretendojnë se është një nga organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it në Zveçan. Ai akuzohet për terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës beson se për shkak të arrestimit të tij, Serbia ka rrëmbye”, siç thonë, tre policë kosovarë në komunën e Leposaviqit.

Beogradi zyrtar pretendon se ata janë arrestuar në territorin e Serbisë.