Escobar arrin në Qeveri, takohet me Kurtin

I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka arritur në ndërtesën e Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Takimi do të jetë i mbyllur për media, ndërkaq në agjendën e Zyrës së Kryeministrit, nuk është paralajmëruar konferencë për media.

Escobar në këtë takim po shoqërohet nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Para takimit me Kurtin, ai ka qëndruar në qytetin e Pejës nga ku ka deklaruar se ka shkuar për të parë nga afër se sa po ndikohet komuniteti serb nga vendimi i BQK-së për dinarin.

Ndërsa ka thënë se do të punoj me qeverinë e Kosovës për të gjetur zgjidhje urgjente.

Escobar po zhvillon një vizitë dyditore në Kosovë për të diskutuar mbi çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan është takuar me presidenten Vjosa Osmani më 13.03.2024.

Escobar e ka quajtur vendim të rëndësishëm atë të Qeverisë kosovare për të urdhëruar Agjencinë Kadastrale që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses.

“Vendimi i sotëm për Manastirin, sa ishte i vështirë është edhe i rëndësishëm, dhe i falënderoj institucionet për këtë hap” – nisi fjalën e tij Escobar në konferencën e përbashkët për media.

Para nisjes në Kosovë, në një konferencë online, zyrtari amerikan e ka quajtur vendim “katastrofal” dhe “jo kompetent”, rregulloren e BQK-së.