Foto: Presidenca e Republikës së Turqisë

Erdogan i shpreh përkrahje Putinit pas situatës së fundit në Rusi

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin të shtunën, sipas zyrës së presidentit turk.

Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në Rusi, tha zyra e Erdoganit.

Erdogan nënvizoi rëndësinë e veprimit me sens të përbashkët dhe tha se Turqia është e gatshme të bëjë pjesën e saj për të zgjidhur situatën në një mënyrë paqësore dhe të qetë, sa më shpejt të jetë e mundur.

Kremlini konfirmoi gjithashtu thirrjen, duke thënë se Erdogan premtoi “mbështetje të plotë” për Putinin.

“Me iniciativën e palës turke, Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, Recep Taip Erdogan”, thuhet në njoftim.

“Presidenti i Rusisë informoi për situatën në vend në lidhje me një tentativë rebelimi të armatosur. Presidenti i Republikës së Turqisë shprehu mbështetjen e plotë për hapat e ndërmarrë nga udhëheqja ruse”- thuhet tutje në njoftim të Kremlinit zyrtar. CNN.

Nga mbrëmja e të premtes Rusia ka nisur shtimin e forcave nëpër rrugë të Moskës pas thirrjeve të prijësit të Wagner për rebelim kundër ushtrisë.