Elshani: Policët serbë që po japin dorëheqje fillimisht po ftohen në Rashkë

Nga policët e rinj që nisën punën në veri të vendit në korrik të këtij viti, 45 nga 74 të tillë janë nga komuniteti serb.

Ata punën u parapanë që ta kryenin në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan në korrik.

Mirëpo që atëherë, sipas Raportit të Organizatës joqeveritare “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike” 9 policë kanë dhënë dorëheqje deri më tani.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se policët po japin dorëheqje pasi ata zhvillojnë takime në Rashkë të Serbisë dhe pas ardhjes nga atje po dorëhiqen.

“Atë që ne kemi parë është presion politik, janë zhvilluar disa takime në Rashkë, diskutohet me ta dhe pas ardhjes së tyre ata japin dorëhejqe. Ne i kuptojnë kolegët tanë që janë serb në punë, i kemi kuptu edhe ata më herët, mirëpo nëse njëherë e lëshon Policinë, polic nuk je më. Në momentin që polici nuk ndjehet mirë me atë rast, tërhiqet nga ai rast kthehet në stacion. Policët, kolegët tanë serb i kanë të gjitha mundësitë”- tha Elshani.

Organizata joqeveritare “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike ka publikuar raportin “Vlerësimi i gjendjes së gjyqësorit dhe policisë në veri të Kosovës”.  Në këtë dokument janë prezantuar ndikimi dhe sfidat që kanë ardhur pas dorëheqjeve të serbëve të Kosovës.

Pjesëmarrës në panelin e kësaj konference ishin Veton Elshani – zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Lumnije Surdulli nga Gjykata e Mitrovicës së Veriut dhe Dusan Radakoviq – drejtori ekzekutivit i ACDC-së.

Në këtë konferencë po ashtu pati edhe pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR e edhe qytetarë të tjerë.

Faqet serbe i vendosin si shënjestër qytetarët e komunitetit serb që diplomuan dhe nisën punën në Policinë e Kosovës