Foto: Atdhe Mulla

Elshani: Diaspora do të nisë votimin nga 2 shkurti

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arianit Elshani, në “KALLXO Pernime” ka deklaruar se votimi me postë nga ana e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet e jashtëzakonshme, do të fillojë nga 2 shkurti deri më 12 shkurt.

“Kemi një aktgjykim të Kushtetueses, lidhur me votat që vijnë nga jashtë, e rregullon kur duhet të vijnë në KQZ, kjo vlen për të gjitha votat që vijnë nga jashtë pa përjashtim. Është 24 orë para ditës së zgjedhjeve, kjo është e rregulluar. Fatkeqësisht nga kjo dëmtohet mërgata që ka nevoje një kohë më të gjatë në sistemin që është për të votuar. Ata do të fillojnë nga 2 shkurti deri më 12 shkurt, e ka mundësinë me hedhë votën e tyre në zarf, kurse regjistrimin e fillojmë për aplikimin nga janari”, u shpreh ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani mbrëmë ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt.

Kurse, sot, në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se fushata zgjedhore fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021.

Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Kushtetuesja kishte konstatuar se Qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse Qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.