Zenun Elezaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Elezaj nuk e di se zyrtarin e prokurimit e ka të dënuar për korrupsion nga Gjykata

Një nga temat më interesante të debatit për Komunën e Klinës ishte ajo për zyrtarin e dënuar për Korrupsion.

I pari i tenderëve në Klinë, Abaz Foniqi në vitin 2018 ishte dënuar për gjashtë vepra korruptive në lidhje me tenderët.

Ndonëse ka dy vite që është dënuar, për dënimin e tij kryetari Elezaj deklaroi se nuk ka dëgjuar.

“ Unë sot po dëgjoj që është i dënuar Foniqi, sot po dëgjoj për këtë rast, sot po dëgjoj”, tha kryetari.

I pyetur nga moderatorja Jeta Xharra se pse po vazhdon të mbajë zyrtar të  korruptuar në krye të prokurimit, Elezaj tha se pasi tani ka dëgjuar do të shikojë dënimin.

“Të shohim qysh është dënimi, e shohim, ky është momenti i parë që po dëgjoj, unë shpesh e takoj po kurrë se di tash është hera e parë që po dëgjoj”, tha Elezaj.

Abaz Foniqi, i cili është në krye të prokurimit në Klinë ishte dënuar për gjashtë vepra gjatë kohës sa menaxhonte me tenderë.

Në lidhje me këto vepra Foniqi kishte arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajsisë dhe ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht.

Foniqi ka thënë për KALLXO.com se nuk i është ndaluar veprimtaria dhe se dënimi ka bërë që ai të jetë më i vetëdijshëm në të ardhmen.

“Ai vendim ka ardhur nga marrëveshja me prokuroren e çështjes dhe nuk jam akuzuar për vepra korruptive dhe se nuk më është marr e drejta për veprim. Përkundër kësaj vazhdimisht kam kërkuar zëvendësim, por nuk ka ndodhur andaj nuk kam pasur kujt të ia dorzojë menxhimin e zyrës.
Integriteti nuk ka dëmtuar procesin e prokurimit përkundrazi ka rritur vëmendjen për të qenë me i kujdesshëm në procesin e prokurimit dhe zbatim të ligjit”, ka thënë Foniqi.

Sonte në debatin ‘Jeta në Komunë’ përballë gazetares Jeta Xharra është i ftuar kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

Të pranishëm në këtë debat janë edhe ish kandidati për kryetar Komune Sokol Bashota, si dhe asamblistët Tush Dedaj, Mendehie Duraku dhe Esat Rraci.