Avdi Gjonbalaj - Ekspert i ujërave

Eksperti i ujërave tregon se a duhet të lejohen ndërtimet në Badovc - VIDEO

Ka mjaftuar një publikim në Facebook nga kompanitë ‘4M Group’ dhe ‘KAWA Group’ që të aktivizohen mijëra qytetarë për mbrojtjen e liqenit të Badovcit.

Dy kompanitë ‘4M Group’ dhe ‘KAWA Group’ dhe pronari i tokës Rrahman Haradini, kishin nënshkruar me 8 janar një marrëveshje tri-palëshe që të realizonin projektin ndërtimor të lagjes pranë Liqenit të Badovcit, “Lakeside Gardens”.

 

Ekspert i ujërave Avdi Gjonbalaj, në një intervistë për KALLXO.com tregon se në zonën e liqenit të Badovcit nuk duhet të lejohen ndërtimet, përderisa nuk ka ‘Plan të Mbrojtjes Sanitare’.

Gjonbalaj thotë se këtë plan nuk e ka bërë asnjë ndërmarrje në Kosovë dhe se prurjet e vogla të ujit janë të lidhura drejtpërsëdrejti me cilësinë e ujit.

“Ju po e shihni se ku ka ra niveli i ujit dhe zona sanitare praktikisht është e pambrojtur dhe përderisa në Udhëzim Administrativ thuhet që duhet të jetë e rrethuar zona e parë, e në zonën e dytë janë ndalesat, e poashtu edhe në të tretën ka ndalesa. Komuna e ka pasur për detyrë që ta bëjë edhe Planin Zhvillimor Komunal në bazë të Udhëzimit Administrativ. Por, nuk e di nëse e ka bërë. E di se tash komuna është duke e hartuar Planin e Menaxhimit të Peizazheve se a guxon dhe sa guxon të ndërtohet përderisa nuk ka Plan të Mbrojtjes Sanitare nuk guxojmë të lejojmë të ndërtojë jo vetëm këtu, por në asnjë zonë tjetër të mbrojtur”, thotë ai.

Një projekt i tillë sipas Gjonbalajt do të ndikonte shumë keq në ruajtjen e  burimit të ujit në Badovc, si dhe do të hapte rrugë për ndërtime të tjera të ashpra në atë zonë.

Poashtu ai thotë se ndërtimet janë të rregulluara edhe historikisht përderisa të gjithë e dinë se nga ajo zonë janë shpërngulur fshatra, ndërsa tash po mendohet të ndërtohet.

“Zona e dytë duhet të kuptohet më ashpër. Ju e dini fshatin Novosellë, por për shkak të ndërtimit në zonën e liqenit është shpronësuar dhe është bërë eksproprijimi ku është dashur të jepen edhe të holla dhe për një kohë aty nuk ka pasur vendbanime dhe nuk besoj se tash duhet të bëjmë presion në zonën e liqenit, sepse ndodhin ndotje me dashje dhe pa dashje, Dhe po e shihni se për liqe askush nuk përkujdeset, ndërmarrja që e menaxhon nuk ka asnjë shërbim dhe nuk e menaxhon as digën dhe nuk ka pasur asnjëherë përkujdesje që kur është ndërtuar që është obligim ligjor për të bërë monitorimin dhe të shënohet zona eventuale e rrezikut të shkatërrimit ose të kapërderdhjes dhe nuk besoj se duhet të lëshohet derisa të bëhet elaborati për të parë se çka parashihet në atë elaborat, sepse zonat e ndikimit do të shihen ekzakt në elaboratin që do të duhej të përfundonte në 2019-ën”, ka treguar Gjonbalaj.

Ai tërheq vëmendjen se Liqeni i Badovcit ka edhe probleme të tjera dhe jo vetëm këtë projektin e fundit.

Gjonbalaj ka thënë poashtu se ndërtimet lejohen në zonën e tretë, por gjithmonë duke mos i tejkaluar udhëzimet administrative.

“Ligjërisht në zonën e tretë mund të ndërtohet me përkufizimet që janë të dhëna në UA, mirëpo nëse fillojmë tash sepse nuk është problemi vetëm i këtyre shtëpizave, por do të hapej rruga për shumë të tjera dhe për probleme shumë më të mëdha që do të na dilnin nga kontrolli, duke e ditur që Kosova jeton në stres për ujë meqë janë edhe ndryshimet klimatike, sepse Kosova nuk ka lumenj që mund t’i shfrytëzojë, por duhet të shkojë në akumulime.

Ne me planin të menaxhimit të resurseve ujore të vitit 1983-2005 kemi paraparë ngritjen e 54 akumulimeve. Tash janë vetëm pesë ndërsa qe 20 vjet nuk mendon askush se si do të zhvillohet furnizimi me ujë dhe Kosova është i vetmi shtet që nuk ka ministri kompetente për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nuk është e rastësishme që qytetet po përballen me krizë të furnizimit me ujë të pijshëm”, vazhdon më tej Gjonbalaj.

Për dhënien e kushteve ndërtimore, Gjonbalaj ka thënë se ky veprim është i pafalshëm përderisa nuk janë organizuar dëgjimet publike.

“Nëse ministria ka dhënë pëlqim ose çfarëdo akti pa bërë diskutimin publik e pa konsultuar ndërmarrjen, është gabim i pafalshëm. Por edhe komuna nuk mundet pa komunikuar me ministrinë dhe ndërmarrjen që e menaxhon. Prandaj komuna nuk guxon të veprojë kështu sepse menaxhimi nënkupton pjesëmarrjen e publikut dhe nëse publiku nuk merr pjesë, atëherë ne tregojmë se nuk jemi shoqëri e pjekur”, ka përfunduar ai.

Në një deklaratë të mëhershme të dhënë për KALLXO.com, kompania ‘KAWA Group’ kishte thënë se nuk kanë leje të ndërtimit, porse kanë hartuar një projekt që do ta mbrojë liqenin.

“Ne nuk kemi lejen e ndërtimit dhe nuk kemi pasur të fillojmë punën atje, pa lejen e komunës. Projekti përveç që ka projektin ideor, ai është punuar edhe në projektin detaj. Në asnjë formë dhe në asnjë moment nuk përkrahim ndotjen e liqenit e as ndotjen e mjedisit kudo qoftë. Projekti ynë nuk planifikon ta helmojë ujin! Projekti ynë planifikon mbjelljen e më shumë se 1000 drunjëve të ndryshëm të cilët do të ndihmojnë që të mos vazhdojë erozioni i dheut nga shirat, siç po ndodh tani. Projekti jo që vetëm i përmbush të gjitha kërkesat e organeve kompetente në Komunën e Prishtinës dhe të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, synon që t’i tejkalon ato duke krijuar projektin e parë që do të jetë BREEAM 4 Star, i certifikuar”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se kompania në fjalë është pajisur me kushtet ndërtimore, pasi janë detyruar nga Ministria e Mjedisit. Kjo e fundit është shfajësuar, duke thënë se nuk e kanë detyruar Komunën të japë kushtet ndërtimore për investitorët dhe të veprojë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për problemet me mirëmbajtjen dhe tharjen e liqenit të Badovcit – LINK

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.