Edi Rama i habitur nga heshtja e BE-së ndaj deklaratave të Dodikut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur i befasuar nga mosreagimi i Bashkimit Europian ndaj deklaratave të kryetarit të entitetit serb – Republika Sërpska, të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, të bëra ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi.

“Kanë kaluar tri ditë që nga deklaratat e rrezikshme dhe nxitëse kundër Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Duhet të pranoj, jam i befasuar nga mungesa e reagimit të deritanishëm nga partnerët tanë të BE-së dhe sinqerisht shpresoj që kjo heshtje të thyhet sa më shpejt!” – ka shkruar Rama në rrjetin social “X”.

Dodik ka thënë para tre ditësh për agjencinë ruse të lajmeve “Sputnik” se në këtë shekull serbët duan një shtet të vetëm, përfshirë Republikën Sërpska dhe Malin e Zi.

“Jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të bëhet një konfigurim i ri i botës, serbët nuk duhen kapur në befasi, por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm, nga Serbia, Republika Srpska, nëse është vendim demokratik, dhe Mali i Zi” – ka thënë Dodik, siç raportohet në faqen e tij zyrtare.

Ai ka përmendur edhe Kosovën, për të cilën tha se Vuçiq e ka rikthyer atë çështje në skenën ndërkombëtare përmes procesit të negociatave dhe përmes procesit të tërheqjes së njohjes së Kosovës nga një numër i konsiderueshëm shtetesh.

“Zgjidhja e vetme është Republika Srpska, Serbia dhe territoret serbe, Kosova dhe kthimi i Malit të Zi në entitetin kombëtar serb, sepse pa dyshim që i takon” – ka thënë Dodik.

Sipas tij, shtetet perëndimore kanë standarde të dyfishta duke shtyrë Kosovën si shtet të pavarur dhe duke rrëzuar integritetin territorial të Serbisë.