Edhe LDK sulmon Kurtin për "ndërrim qëndrimesh" në raport me Serbinë
Sikurse Partia Demokratike e Kosovës, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës akuzoi kryeminsitrin Albin Kurti për ndryshim të qëndrimeve të tij lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se LVV kishte instaluar logjikën se kushdo që negocion me Serbinë kualifikohej si tradhtar.
“Ku jemi sot? Cilit Albin t’i besojmë? Albinit kryeministër apo Albinit opozitar?” – pyeti Zemaj.
“Pika e 7 është 7 herë më e rëndë se gjithçka që Kosova ka pranuar deri më tani. A je i vetëdijshëm se nëse fëmijët tanë duan të vizitojnë natyrën e bukur rreth manastirit të Deçanit duhet të shkojnë me pasaporta? A je në tokë të bukës? Serbia nuk kërkoi falje për krimet ndërsa ju të fortët i falët krimet, Serbia nuk i ktheu të pagjeturit e ju negociuat me ta” – vazhdoi ai.
Prandaj, sipas tij, më e pakta që kryeministri mund të bëjë është të kërkojë falje.
Driton Selmanaj (LDK) i numëroi 6 kushtet që Kurti i kishte përmendur në fillim të shkurtit lidhur me Asociacionin dhe tha se me pranimin e planit evropian, ai ka hequr dorë nga ato kushte.
Ai po ashtu tha se është i sigurt që pamjen që e kemi parë me Driton Abazoviqin, fatkeqësisht do ta shohim edhe me Albin Kurtin.
Selmanaj shtoi se shteti i Kosovës është laik ndërsa Serbia nuk është laike.
Andaj, sipas tij, tendenca për ta “martuar” kishën ortodokse serbe me shtetin e Kosovës është akti më antikombëtar që mund t’i bëhet vendit.
Ai përmbylli fjalimin e tij duke i kujtuar kryeministrit disa fjalë të tij: “Çakorri, Çakorri, Zhlebi, Zhlebi, tap kryeministër – e lëshoi bajrakun”. E unë po ju them sot me gjuhën e tij, jo timen: “Zajednica, Zajednica, tap kryeministër – e lëshoi bajrakun” – përfundoi Selmanaj.