E quajti prokurorin Elez Blakaj 'hajn i pulave', Haradinaj thotë se mediat e kanë raportuar gabim situatën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj i është rikthyer sërish rastit të prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, i cili po hetonte listat e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Haradinaj, i cili e kishte quajtur “hajn i pulave” dhe “pishpirik” Blakajn, sot tha se mediat e kanë raportuar gabim situatën.

Haradinaj tha se ai i është referuar Blakajt me atë gjuhë, si ish-prokuror.

“Shumica e mediave e kanë raportuar gabim situatën. Unë s’kam reaguar ndaj prokurorit. Kam reaguar ndaj qytetarit Blakaj. Sepse kur jep dorëheqje prej prokurorit kthehesh në qytetar. Unë kur jap dorëheqje prej kryetarit të qeverisë, jam qytetar”, tha ai.

Haradinaj ka vlerësuar se i është dashur të “shpjegojë” pretendimet e Blakajt.

“Kam reaguar kur e ka lënë landën të papërfundume. Ka shkuar me një vend tjetër dhe prej atje i është drejtuar opinionit, pra  imagjinojeni. Unë kam të drejtë atëherë ta jap mendimin tim si qytetar i qeverisë, i vendit që përfaqësoj  e përgjegjësive që mbaj. Se nëse nuk jap shpjegime i bjen që osht është ashtu si thotë kolegu i caktuar ose nuk e kam përfill”, shtoi kryeministri në detyrë.

Prokurori Elez Blakaj kishte dhënë dorëheqje dhe ishte larguar nga Kosova, pasi është ankuar për presion gjatë punës së tij.

Haradinaj e quan ‘pishpirik’ prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj