Ilustrim

Dyshohet se nuk ia dha të dëmtuarit 16 mijë euro të kompanisë së sigurimeve, arrestohet përfaqësuesi ligjor

Një person në Ferizaj është arrestuar dje nën dyshimin për keqpërdorim të besimit.

Sipas Policisë, i dyshuari ka qenë përfaqësues ligjor i një personi që kishte raportuar se nuk ishte kompensuar nga një kompani e sigurimeve, për aksidentin që i kishte ndodhur në vitin 2012.

Policia ka njoftuar se në vitin 2020 e kishte bërë transferin e parave në vlerë 16 mijë euro te përfaqësuesi ligjor, të cilat i njëjti dyshohet se i ka keqpërdorur.

“Me datë 01.10.2020 kompania e sigurimeve kishte bërë transferin e parave rreth 16 mijë eurove në llogari të një përfaqësuesi ligjor, mirëpo ekziston dyshimi se përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, për arsye ende të panjohura nuk i ka përmbushur detyrimet ligjore, ose i kishte keqpërdorur autorizimet me qëllim që vetes, apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, apo t’i shkaktojë dëm personit që ka përfaqësuar” – thuhet në njoftim.

I dyshuari pas intervistimit nga policët hetues, është ndaluar për 48 orë për procedura tjera hetimore.

Rasti është cilësuar ‘’Keqpërdorim i besimit’’.