Ilustrim

Dyshohet se mori ryshfet nga një mërgimtar, arrestohet nëpunësi i Regjistrit Civil në Deçan

Një nëpunës në Qendrën Komunale të Regjistrit Civil në Deçan është arrestuar sot nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Sipas Policisë, i dyshuari me incialet H.I gjatë vitit 2022 dhe fillim të vitit 2023, në tri raste, përmes institucioneve bankare ka pranuar të holla rreth 1800 euro.

Në komunikatën për media shpjegohet se i dyshuari, të hollat i ka pranuar nga viktima e rastit J.J., nga Deçani, i cili jeton në Zvicër, me qëllim që të njëjtin ta regjistrojë në sistemin e gjendjes civile në Deçan.

Po ashtu në fund të muajit gusht 2023, në Facebook është publikuar edhe një pretendim se i dyshuari, në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe me qytetarin H.E., i cili jeton në Gjermani.

“Mbi bazën e këtyre dëshmive e pretendimeve, është krijuar dyshimi se H. I., dyshohet të ketë kryer veprën penale: ‘marrja e ryshfetit’. Hetuesit policorë janë duke vazhduar me trajtimin e rastit përfshirë identifikimin dhe intervistimin e viktimës së dytë (H.E., nga Gjermania)” – thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkaq, i dyshuari është arrestuar, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.