Dy fytyrat e luftës kundër korrupsionit të Kadri Veselit

Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës dhe caktimit të datës së zgjedhjeve për më 6 tetor, partitë politike kanë “ndezur” motorët për fushatën elektorale.

Ndër të parët që nisi takime e vizita me qytetarë ishte kreu i PDK-së, Kadri Veseli.  Madje, diskursi i ish- kryekuvendarit dominohet këto ditë nga lufta kundër korrupsionit, krimit e nepotizmit.

Ditë më parë ai vizitoi edhe komunën e Gjilanit. Tha se nga ana e Anamoravës, PDK-së iu bashkuan disa anëtarë të rinj.

Por, në fotografitë e publikuara, Kadri Veseli nuk u pa përkrah kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Qemajl Mustafa. Ai e anashkaloi në këtë vizitë ish- kryetarin e Gjilanit.

Mustafa është zgjedhur kryetar dege në zgjedhjet e fundit partiake që u mbajtën muaj më parë, ndërsa Veseli, pas rizgjedhjes në krye të partisë doli me vendim që t’i largojë nga partia personat të cilët janë të akuzuar apo të dënuar për vepra që lidhen me korrupsion.

Mustafa është një ndër të akuzuarit në një proces gjyqësor për kurdisje tenderësh gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Komunës së Gjilanit.

Por, pak ditë më parë, këshilltarja e Kadri Veselit dhe ish- kandidatja për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, u pa bashkë me Mustafën në një takim me strukturat e PDK-së në Gjilan.

“Gjilani asnjëherë nuk më është dukë më i bukur e më me shpresë se dje. Takova mbi 100 vajza të reja e gra që kishin vullnet, dije dhe energji për të zhvillu vendin tonë me #DekadëneRe dhe me #KryeministërKadriVeseli. Duke i pa lideret e të ardhmes në krye me kryetaren e rinisë Erlehta Osmanin @erlehtaosmani, një vajzë briliante që të gjithë do ta kishin lakmi ta kishin, jo vetëm në Kosovë, unëu motivova edhe më shumë për fitoren e ardhshme!”, kishte shkruar në rrjetin social “Instagram” Valdete Idrizi teksa shihet në fotografi edhe Qemajl Mustafa.

Pasi Veseli kishte vendosur largimin e njerëzve që kanë punë me gjykatat, Qemajl Mustafa kishte thënë për KALLXO.com se është i gatshëm ta lirojë pozitën e kryetarit të degës. Megjithatë, ai ende nuk e ka bërë publike dorëheqjen.

Qemajl Mustafa tregon nëse do ta lirojë pozitën pas vendimit të Kadri Veselit

www.kallxo.com