Ilustrim

Durrës, tentoi të korruptojë policët pasi voziste në gjendje të dehur, arrestohet 61-vjeçari

Një 61-vjeçar, i cili po voziste automjetin në gjendje të dehur, është arrestuar nga Policia e Shqipërisë për arsye se në momentin kur është ndalur për kontroll ka tentuar që të korruptonte policët.

‘’Shërbimet Policore Rrugorë të Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës pas një bashkëpunimit më qytetarët të cilët kanë njoftuar së një person me makinën e tij po kryente manovra të rrezikshme në rrugë kanë identifikuar personin me inicialet E.Z.’,’ thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, drejtuesi i mjetit i ka ofruar 5,000 lekë të rinj punonjësit të Policisë për të mos i bërë testin e alkoolit, por punonjësi i Policisë ka kryer testet e alkoolit konform procedurës.

Në momentin kur është kryer testimi ka rezultuar se shtetasi E.Z ishte duke e drejtuar automjetin në gjendje të dehur në masën 0.77 mg/l.

Lidhur më këtë Shërbimet e Policisë Rrugore kanë shoqëruar shtetasin E.Z. në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për veprime të mëtejshme.

Pas përfundimit të veprimeve të para nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Z, 61-vjeç, banues në lagjen nr.14 Durrës.

“Shtetasi E.Z akuzohet se ka kryer dy vepra penale, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, thuhet në njoftim të Policisë së Shtetit.