Dugolli i dërgon shkresë prokurorit të Gjykatës Speciale, i ofron prova shtesë për masakrën e Dubravës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli, njëherësh i mbijetuar i masakrës së Dubravës, ka ofruar prova se Gjykata Speciale ka juridiksion lëndor mbi krimet e kryera nga forcat serbe gjatë masakrës së Dubravës dhe se sipas tij, prokurori i specializuar ka juridiksion të plotë për ta hetuar këtë rast.

Ai ka bërë të ditur se i ka dërguar shkresë prokurorit të specializuar Alex Whiting duke i ofruar argumente shtesë në lidhje me juridiksionin lëndor për masakrën e Dubravës.

“Sot prapë i kam dërguar në shkresë u.d. prokurorit të specializuar, z. Alex Whiting. Kjo shkresë ofron argumente shtesë duke u bazuar në tri vendimet e lëshyara nga vetë Gjykatës Speciale, se i takon jurisdiksionit lëndor” – ka thënë ai.

“Pra, Gjykata Speciale ka juridiksion lëndor mbi krimet e kryera të forcave serbe gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Dubravës. Në bazë të argumenteve të parashtruara me këtë shkresë, nuk mbetet më asnjë dyshim: prokurori i specializuar ka juridiksion të plotë për ta hetuar këtë rast” – ka vijuar Dugolli.

Dugolli është shprehur se nuk do të pushojë asnjëherë së kërkuari drejtësi për viktimat e masakrës së Dubravës./Dukagjini