Drejtoria e Arsimit në Obiliq u bën thirrje organeve shtetërore të merren me rekrutimin e nxënësve nga shkolla serbe

Drejtoria e Arsimit në Obiliq ka folur për KALLXO.com në lidhje me rekrutimin e nxënësve nga shkolla serbe në këtë komunë.

Rexhep Zeka, shef i arsimit në DKA-në e Komunës së Obiliqit, ka thënë se si Drejtori do të kërkojnë raporte nga drejtoria e shkollës, ekipi për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes, në mënyrë që t’i kthejnë fëmijët në shkollën e tyre të mëparshme.

Lidhur me deklarimin e nënave të këtij komuniteti për KALLXO.com se për çdo muaj marrin një shumë prej 50 euro për secilin fëmijë të tyre nga shkolla serbe ku i dërgojnë tashmë fëmijët, Zeka ka thënë se nuk kanë informata të sakta.

“Përderisa prindi e pranon qartë që po e thoni ju, që merr mjete, del që prindi e kontrabandon fëmijën e vet dhe janë organet e tjera shtetërore, të cilat duhet të merren me këtë çështje” – ka thënë Zeka.

Sipas Zekës, rekrutimi i këtyre nxënësve nga shkolla serbe nuk është problem komunal por nacional.

Zeka ka treguar se nuk ka diskriminim të nxënësve të komunitetit joshumicë në klasat e shkollave ku mësohet në gjuhën shqipe.

Ata e konsiderojnë sfidues vijueshmërinë e nxënësve të komunitetit joshumicë në procesin mësimor.

Ai ka bërë të ditur se shkollat të cilat punojnë në struktura paralele nuk raportojnë në Drejtori të Arsimit. Mirëpo kjo, sipas tij, nuk do të thotë që nuk e kanë ndonjë kontakt të vetëm.

Ndërkaq, të enjten ai ka thënë se kanë mbajtur një takim me këshillin për komunitete dhe kanë trajtuar këto sfida të prezencës së komuniteteve joshumicë në shkolla.

“Realisht diku 95% e komunitetit rom e zhvillojnë mësimin në strukturat paralele në gjuhën serbe, një gjë që nuk është e drejtë dhe e lejueshme. Prindërit janë ata të cilët i adresojnë nëpër këto shkolla edhe për çështjet e tyre personale” – ka thënë Zeka.

KALLXO.com raportoi për rastin e së paku dy fëmijëve, të cilët nga shkolla “Dr. Ibrahim Rugova” tani kanë kaluar në shkollën e sistemit paralel, që është pjesë e institucioneve të Serbisë.

Nënat e këtyre fëmijëve kanë treguar arsyet pse i kanë dërguar fëmijët në shkollën në gjuhën serbe.

Arsyeja kryesore janë kushtet më të mira si dhe fakti se fëmijëve u jepen për çdo muaj nga 50 euro, e madje edhe familjet ndihmohen materialisht.