FOTO: KALLXO.com

Drejtori i Spitalit të Ferizajt: I kemi vetëm dy mjekë infektologë

Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, ka thënë në debatin “Jeta në Komunë” se tashmë kanë adaptuar hapësirën më të madhe të spitalit në hapësirë për trajtimin e COVID-19.

Zeqiri ka treguar se aktualisht kanë katër punëtorë shëndetësorë të infektuar me COVID-19, por që sipas tij kjo mungesë nuk po ndikon në trajtimin e pacientëve me coronavirus.

“Në fazën e parë i kemi pasur 54 punëtorë shëndetësorë të infektuar me COVID-19, ndërsa tash në fazën e dytë i kemi vetëm dy specialistë të infektuar dhe dy infermierë. Përve7 disa reparteve vitale si Gjinekologjia, Ortopedia, Dializa, i gjithë spitali është kthyer në hapësirë për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Mbyllja apo ora policore janë të mirëseardhura sa i përket anës time si profesionist shëndetësorë”, ka deklaruar ai.

Më tej, Zeqiri ka thënë se pacientët me COVID-19 po trajtohen sipas protokolleve nga ShSKUK dhe IKSHPK ndërsa ka shtuar se kanë vetëm 70 shtretër në dispozicion për trajtimin e të infektuarve.

“120 shtretër i kemi gjithsej , 70 janë të adaptuar për pacientët me COVID-19 ku 50 pacientë i kemi të shtrirë në spital. I kemi dy infektologë, por edhe pulmologët, anesteziologët e punëtorët e tjerë janë duke u kujdesur për pacientët me COVID-19. Te ne do të vijnë edhe disa mjekë specializantë, të cilët me anë të shërbimeve multidisiplinare po arrijmë që t’i trajtojmë pacientët me COVID-19’, ka thënë ai.

 

Në emisionin Jeta në Komunë sot është duke u diskutuar për situatën dhe menaxhimin e COVID-19 në komunat e Kosovës. Të ftuar në debat janë Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë, Visar Shehu, nënkryetar i komunës së Prizrenit.