Kamioni i vendosur si barrikadë në Rudarë të Zveçani Foto: KALLXO.com

Drejtori i policisë: Veprimtari kriminale ka më shumë ku ka popullsi të përzier

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se veprat kriminale më shumë janë hasur në vendet ku ka popullsi të përzier.

Këto deklarata Mehmeti i tha gjatë raportimit para komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Kur është në pyetje krimi nuk ka asnjë barriere as nacionale as etnike as gjinore as fetare. Është e vërtetë që në mjediset me popullsi të përzier kemi ma shumë kriminalitet që ju po e quani krime hibride ku janë të përziera bandat kriminale, më e theksuar Mitrovicë në veri dhe jug”, tha Mehmeti.

Ai dha disa detaje për aksionin e madh të policisë të datës 13 tetor të këtij viti.

“Ju e dini që në operacionin e 13 tetorit i kemi pasur 26 lokacione 8 kanë qenë në veri tjerat kanë qenë në jug, është mall i kontrabanduar që vjen nga veriu e që grupet kriminale të jugut kryesisht kanë qenë Mitrovicë, Vushtrri, Pejë, ka pas edhe në Prishtinë, materiali i kontrabanduar ka ardh në Mitrovicë të veriut është shpraz në depotë që ne i kemi kontrollu është bartë pastaj në pjesët tjera të Kosovës”, ka thënë Mehmeti.

Kujtojmë se në aksionin e gjerë të Policisë së Kosovës në koordinim edhe me Doganën e Kosovës, janë lënduar disa zyrtarë policor për shkak të rezistencës së qytetarëve serb në zonën e veriut të Kosovës.

Institucionet e sigurisë po kryenin një aksion kundër kontrabandës në atë zonë ndërsa ishin krijuar edhe barrikada dhe ishin sulmuar edhe zyrtarët policor por edhe gazetarët. Këta të fundit po mbulonin ngjarjen që po ndodhnin në atë pjesë.