Drejtori i Haskukës me aktakuzë, jep dorëheqje

Refik Shaqiri, nuk do të jetë më Drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit.

Këtë e ka bërë të ditur Mytaher Haskuka në një postim në profilin e tij në Facebook.

“Drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, doktor Refik Shaqiri, do të vazhdojë karrierën e tij në sistemin e shëndetësisë publike”, ka njoftuar Haskuka.

Refik Shaqiri është njëri nga tre drejtorët që iu kishte ngritur aktakuzë për dhënin e pronës së komunës në mënyrë të kundërligjshme.

Ngritet aktakuzë ndaj tre drejtorëve të Haskukës

Aktakuza ka të bëjë me Tenderin Publik për lokalet që janë pronë e Kuvendit Komunal në Prizren të cilat Komuna e Prizrenit i jep në shfrytëzim me qira.

KALLXO.com ka raportuar se pos Shaqirit  Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Levent Kasëmit (LVV), Drejtor i Shërbimeve Publike, dhe Fejzë Kabashit (LDK) Drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Seanca fillestare e datës 24 dhjetor të vitit të kaluar ndaj tre drejtorëve të Komunës kishte dështuar të mbahet, përderisa seanca u ricaktua për datën 20 shkurt të këtij viti.

Tre drejtorët e Mytaher Haskukës dolën para Gjykatës (Foto)

Haskuka në njoftimin për largimin e tashmë ish-drejtorit Shaqiri ka publikuar një fotografi të përbashkët me Shaqirin dhe kryetaren e partie NDS Emilija Rexhepi.

Subjekti politik me të cilin udhëheq Emilija Rexhepi është në koalicion qeverisës me Vetëvendosje dhe LDK në Komunën e Prizrenit.

Haskuka në njoftimin për largimin e drejtorit ka falënderuar ish-drejtorin Refik Shaqiri, duke i përmendur edhe sukseset e kësaj Drejtorie.

Postimi i plotë i Mytaher Haskukës:

Drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, doktor Refik Shaqiri, do të vazhdojë karrierën e tij në sistemin e shëndetësisë publike.

Në takimin lamtumirës me drejtorin, e falenderova për punën profesionale dhe përkushtimin e tij në përmirësimin e shërbimeve komunale.

Gjatë vitit të kaluar, Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrit ka pranuar gjithsej 14506 kërkesa, nga të cilat janë kryer 13655 sosh dhe në procedurë vazhdojnë të jenë edhe 851 kërkesa. Gjatë dy viteve të kaluara efikasiteti i punës në këtë drejtori është shtuar dhe shpejtësia e shërbimeve është rritur. Po ashtu janë rritur edhe të hyrat komunale nga kjo drejtori, duke treguar progres në krahasim me vitin paraprak nga 247,700 euro në 284,120 euro.

Në këtë aspekt e falenderova drejtorin për punën e tij në qeverinë komunale dhe i urova suksese në karrierën e tij profesionale në shëndetësi.